Vjosa, park kombëtar vetëm në letër

3 Shkurt 2026
Lumi i fundit i egër në Europë, Park kombëtar… Statuset i takojnë Vjosës, lumit në Jug të Shqipërisë që aktualisht kërcënohet nga ndërtimet dhe ndotja prej impianteve të industrisë nxjerrëse.
Situata ka tërhequr vëmendjen e një sërë organizatash dhe mediave ndërkombëtare, që sillen bashkë me një vëzhgim në terren nga reportazhi në vijim i realizuar nga MCN TV.
Në vitin 2023, pas një beteje dhjetëvjeçare dhe shumë bujë, Vjosa, 272 kilometër e gjatë, u shpall parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë, mbrojtja e së cilës me sa dukej, u garantua përgjithmonë.
Megjithatë edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, qeveria nuk ka mundur ta mbrojë dot lumin e fundit të egër të Europës dhe aktualisht, shumë rreziqe i kanosen këtij lumi, duke nisur që nga mbetjet e bitumit, derdhjet e naftës, por gjithashtu edhe marrja e ujit për ta çuar nga fshatrat, drejt resorteve të luksit.
Larg të qenit një tërësi lumore e paprekur, i gjithë Parku sot është nën kërcënim të madh. Ndaj në vend të qetësisë që do të duhej të ofronte një park kombëtar, përgjatë rrugës pamë kantierë betoni, makina të rënda që zhvishnin shtratin e lumit, derdhje nafte, tuba të mëdhenj dhe grumbuj mbeturinash mbi të cilat krokëllinin korbat e lehnin qentë.
