Vijon operacioni për izolimin e vatrave të zjarrit në Bashkinë Pukë

22 Gusht 2026
Ditën e sotme vijon ende operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit, Bashkia Pukë.
Situata në Gjegjan paraqitet më e qetë dhe aktualisht nuk raportohet përparim i vatrës së zjarrit. Monitorohet me forcat vendore.
Në Gojan të Madh, gjatë natës janë evidentuar riaktivizim i vatrave, por ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur normalizimin e situatës. Në lagjen Pepaj, zjarri nuk ka avancuar drejt banesave përtej zonës së izoluar gjatë ndërhyrjes intensive të ditës së djeshme. Zona vijon të mbahet nën monitorim nga forcat vendore.
Vatra më problematike paraqitet në Gojan të Vogël, ku vijon aktive duke u përhapur në zbritje në drejtim të zonës së banuar, jo ne afërsi kritike deri në keto momente. Në këtë vatër është përqendruar ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë, e koordinuar me operacionin nga toka të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe forcave operacionale vendore.
Në Prozhëm raportohet avancim i vatrës së zjarrit. Prej ditës së djeshme janë dislokuar 2 mjete zjarrfikëse, për mbrojtjen e qytetarëve dhe banesave dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rast të afrimit të flakëve në zonën e banuar. Nderhyrja koordinohet sipas dinamikes nga ajri dhe nga toka.
Në të gjithë zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar aktualisht 9 mjete zjarrfikëse dhe 45 efektivë të MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra, 13 punonjës të Shërbimit Pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura nga RKV.
Prefektura e Qarkut Shkodër, në koordinim me Bashkinë Pukë, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon koordinimin dhe monitorimin e operacionit.
Ndërhyrjet janë intensifikuar në zonat me rrezikshmëri më të lartë, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe banesave, si dhe izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Top Channel
