Vijat e verdha në Gaza rrezikojnë të shndërrohen në kufij të përhershëm

26 Tetor 2025
Një vijë e verdhë, e vendosur fillimisht si shenjë e përkohshme e armëpushimit në Rripin e Gazës, po merr gjithnjë e më shumë formën e një kufiri të ri de facto, ndërsa procesi i paqes mbetet i bllokuar dhe tensionet në terren vazhdojnë të rriten.
Siç përshkruan The Guardian, forcat e mbrojtjes izraelite (IDF) kanë nisur vendosjen e blloqeve të betonit ngjyrë të verdhë çdo 200 metra për të shënuar zonat që mbeten nën kontrollin e tyre gjatë fazës së parë të armëpushimit.
Banorët përshkruajnë situatën si “një luftë që s’ka mbaruar kurrë”.
“Sa herë afrohemi pranë shtëpive tona, fillon të qëllohet nga çdo drejtim”, rrëfen Mohammad Khaled Abu al-Hussain, 31 vjeç, baba i pesë fëmijëve nga al-Qarara, një zonë në kufi me vijën e verdhë.
“Nuk mund të kthehem në shtëpi. Ç’kuptim ka armëpushimi, nëse nuk mund të kthehemi?“
Banorë të tjerë ndajnë të njëjtin ankth, frikën se kjo vijë e përkohshme mund të mbetet përgjithmonë.
“Më shumë se lufta, më tremb ideja se kjo vijë do të mbetet aty përgjithmonë”, thotë Abu al-Hussain.
Një armëpushim në emër, por jo në praktikë
Megjithëse armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-të hyri në fuqi më 10 tetor, mbi 20 palestinezë po vriten çdo ditë, shumë prej tyre pranë vijës së verdhë. Si pasojë, vetëm pak të zhvendosur kanë guxuar të rikthehen në zonat nën kontrollin izraelit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka urdhëruar një politikë “zjarri të lirë” përgjatë vijës, pas një sulmi në Rafah më 19 tetor ku mbetën të vrarë dy ushtarë izraelitë.
Në këtë ngërç politik, Izraeli vazhdon të forcojë prani të përhershme në terren. Në media izraelite, vija po përshkruhet gjithnjë e më shumë si “një kufi i ri”. Sipas gazetës Yedioth Ahronoth, kjo vijë mund të evoluojë në “një barrierë të sofistikuar që do të zvogëlojë Rripin e Gazës dhe do të hapë rrugën për ndërtimin e vendbanimeve izraelite”.
Kritikë ndaj “aneksimit në heshtje”
Jeremy Konyndyk, president i organizatës Refugees International, e cilëson zhvillimin si “një aneksim të ngadaltë dhe faktik të Gazës”.
Një analizë satelitore e BBC zbuloi se shenjuesit e rinj të vendosur nga IDF janë disa qindra metra përtej vijës së parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit, një lëvizje që përfaqëson një zgjerim të mëtejshëm territorial.
Zyrtarët izraelitë kanë refuzuar të komentojnë mbi raportin e BBC-së, duke thënë vetëm se puna për ndërtimin e barrierës po vazhdon “për të krijuar qartësi taktike në terren”.
Një ndarje gjithnjë e më e dukshme
Në terren, ndarja e Gazës po bëhet çdo ditë më e prekshme. Pjesa më e madhe e popullsisë, rreth 2.1 milionë banorë, është e përqendruar tani në gjysmën perëndimore të territorit, mes rrënojave të mbetura pas dy vitesh bombardimesh intensive.
“Ushtria izraelite ka ngritur vinça, kullime vrojtimi dhe tanke”, thotë Ayman Abu Mandeel, 58 vjeç, nga al-Qarara.
“Kushdo që afrohet, qëllohet menjëherë. Si mund të flasim për paqe, kur nuk mund të afrohemi as në tokën tonë?”
Ekspertët paralajmërojnë se kjo ndarje mund të jetë vetëm fillimi.
“Çdo gjë ‘e përkohshme’ në territoret palestineze të okupuara ka prirjen të bëhet e përhershme”, thekson Rohan Talbot, drejtor i organizatës Medical Aid for Palestinians, duke e cilësuar marrëveshjen aktuale si “jashtëzakonisht të paqartë”.
Në terren, kjo paqartësi ka prodhuar një realitet të ri. Gaza është ndarë në dy pjesë, shpresa për kthim po zbehet, dhe armëpushimi po duket gjithnjë e më shumë si një ndalesë e përkohshme drejt një ndarjeje të përhershme.
