Vepra e ndaluar në komunizëm, “Dekameroni” i Bokaços, për herë të parë e pacensuruar në shqip!

Ndonëse, i konsideruar si një nga librat e ndaluar gjatë sistemit komunist, “Dekameroni” i Xhovani Bokaços, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe i pacensuruar. Botuesja Irena Toçi rrëfen se si i ranë në duar dorëshkrimet e rralla të viteve ’60 të përkthimit autentik të Ali Harshovës.

Nga: Valeria Dedaj

Një ndër veprat më të rëndësishme të babait të prozës italiane gjatë shekullit XIV sheh për herë të parë dritën e botimit në gjuhën shqipe e plotë.

I ndaluar gjatë regjimit komunist, “Dekameroni” i Giovanni Bokaços, vjen i pacensuruar nën përkthimin autentik të Ali Harshovës. Botuesja Irena Toçi rrëfen bashkëpunimin me të birin e Harshovës, publicistin Ilir Harshova, para se ky i fundit të ndahej nga jeta për shkak të COVID 19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky është një libër i madh i letërsisë botërore, edhe me shumë ndikim në letërsinë italiane pas shek XIV. Për herë të parë vepra e Bokaços botohet e plotë, i kontrolluar nga i biri i përkthyesit publicisti Ilir Harshova, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë për shkak të COVID në SHBA. Ai u kujdes për stabilizimin e tekstit, pa çfarë mungonte, krahasoi botimin e para viteve ‘90 në emrin e të atit edhe u përpoq që të mbushte boshllëqet. Prandaj unë sot mendoj se puna e Ali Harshovës është një punë e jashtëzakonshme, që vetëm njerëz me kulturë edhe formim të gjerë, si ai mund të kishin bërë”, rrëfen botuesja Irena Toçi.