17 Mars 2026

Një valë e pazakontë dhe e fortë të nxehti ka përfshirë jugperëndimin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sjellë temperatura tipike për fillimin e verës në një periudhë kur vendi ndodhet ende në mes të marsit.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, në Phoenix temperaturat mund të kalojnë 38°C që të mërkurën, duke shënuar një rekord të hershëm për këtë periudhë në afro 40 vite.

Meteorologët shpjegojnë se një sistem i fuqishëm presioni të lartë, i njohur si “kupolë nxehtësie”, po bllokon ajrin e nxehtë mbi rajon, duke rritur temperaturat ndjeshëm mbi mesataren sezonale në Kalifornia, Nevada dhe Arizona.

Temperaturat pritet të qëndrojnë të larta për disa ditë radhazi, ndërsa mungesa e freskimit gjatë natës do ta bëjë situatën edhe më të rënduar. Në shumë zona, termometri do të ngjitet mbi 32°C, ndërsa në rajonet e brendshme dhe ato shkretinore mund të kalojë edhe 43°C, duke sfiduar rekordet historike për muajin mars.

Autoritetet kanë shpallur paralajmërime për të nxehtin në disa zona të Kalifornisë, përfshirë rajonin e Gjirit dhe bregdetin qendror, ku temperaturat pritet të arrijnë rreth 32°C.

Banorëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për të moshuarit dhe grupet në rrezik, si dhe të shmangin aktivitetet në orët e pikut të vapës.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo valë e të nxehtit mund të zgjasë, me një lehtësim të mundshëm vetëm në fundjavë ose në fillim të javës së ardhshme, duke rritur rreziqet për shëndetin dhe mjedisin.

Ndërkohë, temperaturat e larta përbëjnë kërcënim për rezervat e dëborës në Kaliforni, të cilat tashmë janë nën mesatare. Në vargmalin Sierra Nevada, shkrirja e përshpejtuar e dëborës mund të çojë në mungesa uji gjatë verës, pasi ajo përbën një pjesë të konsiderueshme të furnizimit me ujë të shtetit.

Kjo situatë rrit gjithashtu rrezikun për një sezon më të gjatë dhe më intensiv zjarresh, megjithëse aktualisht, për shkak të erërave të dobëta, rreziku për përhapje të shpejtë mbetet i kufizuar në pjesën më të madhe të jugperëndimit.

Ndryshe paraqitet situata më në lindje, nga zonat pranë Maleve Shkëmbore drejt Rrafshinave të Larta, ku kushtet e thata dhe erërat e vazhdueshme rrisin ndjeshëm rrezikun për zjarre.

Kjo valë e të nxehtit vjen pas motit ekstrem në pjesë të tjera të vendit, përfshirë stuhi bore në Midwest dhe kërcënime për tornado në bregun lindor. Meteorologët paralajmërojnë se deri në fund të javës, temperaturat mbi mesatare do të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit amerikan.