8 Shtator 2022

Shefi i lartë ushtarak i Ukrainës ka paralajmëruar për kërcënimin e Rusisë lidhur me përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë, gjë që do të krijonte rrezikun e një konflikti bërthamor me fuqitë e tjera, raporton The Guardian.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, gjenerali Valeriy Zaluzhnyi, dha një vlerësim të detajuar të luftës së deritanishme në komentet e rralla publike të botuara të mërkurën.

Zaluzhnyi tha se “kërcënimi i drejtpërdrejtë” i përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore taktike nga Rusia ka pasur një ndikim të madh në miratimin e vendimeve përkatëse.

Një faktor tjetër është kërcënimi i drejtpërdrejtë nga Rusia, në rrethana të caktuara, të armëve taktike bërthamore.

Betejat në territorin e Ukrainës kanë treguar tashmë se sa shumë i neglizhon Federata Ruse çështjet e sigurisë bërthamore globale edhe në një luftë konvencionale.

“Është e vështirë të imagjinohet se edhe sulmet bërthamore do të lejojnë Rusinë të thyejë vullnetin e Ukrainës për të rezistuar. Por kërcënimi që do të shfaqet për të gjithë Evropën nuk mund të injorohet.

Nuk mund të përjashtohet plotësisht as mundësia e përfshirjes së drejtpërdrejtë të fuqive kryesore botërore në një konflikt bërthamor ‘të kufizuar’, duke sjellë më afër perspektivën e Luftës së Tretë Botërore. Çdo përpjekje ruse për hapa praktikë në përdorimin e armëve bërthamore taktike duhet të parandalohet duke përdorur të gjithë arsenalin e mjeteve në dispozicion të fuqive botërore”, shtoi ai.

“Në fund të fundit, duke filluar nga ky moment, Federata Ruse do të bëhet jo vetëm një kërcënim për bashkëjetesën paqësore të Ukrainës, fqinjëve të saj dhe një sërë vendesh evropiane, por edhe një shtet terrorist në shkallë globale,” tha Zaluzhnyi.

Gazeta Sot