Tuneli i Llogarasë, Lubonja: – Eksperti italiani tha ‘të mjerët shqiptarë, kursyen edhe hekurin’

14 Nentor 2025
Analisti Fatos Lubonja ka ngritur akuza të forta lidhur me mënyrën se si janë kryer punimet në tunelin e Llogarasë, duke iu referuar dëshmive të një eksperti italian që ka vënë në dyshim sigurinë dhe cilësinë e ndërtimit.
Në një lidhje me studion e News24, Lubonja tha se eksperti ka konstatuar përdorimin e eksplozivit në vend të makinerive me turrjela për hapjen e tunelit, si dhe mungesë të hekurit në beton.
“Një njeri i besueshëm më ka thënë se një ekspert italian ka thënë ‘të mjerët shqiptarë’. Italiani ka thënë se është kursyer edhe hekuri për të hedhur betonin. Edhe plasjet janë bërë jo si duhet, i kanë bërë në mënyrë më të shpeshtë, jo sipas procedurës”, tha Lubonja.
Lubonja paralajmëroi se mosveprimi i institucioneve mund të çojë në pasoja të rënda për vendin, duke e krahasuar situatën me vitin 1997.
“Kjo është krahas korrupsionit 50 milionë euro. Këtu është trashur zullumi. E kanë këtë dimension prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë? Shqipëria ra një herë në 1997 sepse nuk u hetuan piramidat. Ra shteti, u vranë 3 mijë veta”, theksoi ai.
