agron shehaj

9 Dhjetor 2025

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj nesër do të mbledhë një tryezë ku do paraqesë një platformë në mbrojtje të drejtësisë. Në studion e News24 ai zbuloi më shumë nga kjo nisëm.

“Sulmi i sotëm i Edi Ramës i kujton 1600 euro që kërkojnë. Mund të jetë dhe shpifje e Edi Ramës. Nuk i bën përshtypje 50 mln euro që vodhi Belinda Balluku me një mesazh se tha ashtu kam një ndjesi. Nuk i bën përshtypje. I bën përshtypje 1600 euro. Prokuroria ka kërkuar fonde se ka shumë punë, dhe Edi Rama është një ndër arsyet që kanë punë se po vjedhin. Qeveria i ka dhënë jo sa kanë që kërkuar por më pak. Për vite thonë se mazhoranca është në kah të drejtësisë, tjetër gjë thonë, tjetër bëjnë.”

Deputeti u shpreh se ndodhemi në një moment të rëndësishëm, teksa të korruptuarit po dalin para drejtësisë, por kjo e fundit po sulmohet nga politika e vjetër.

“Ne duhet të pyesim veten, çfarë mund të bëjmë më shumë. Jo të kërkojmë llogari pse nuk protestojnë shqiptarët. Duhet të jesh i besueshëm, nëse nuk inspiron dhe të shohin si shpresë nuk kanë për të ndjekur. Është një moment i rëndësishëm. Ka një kakofoni nëpër media. Janë mediat, bëjnë gjithçka për të çoroditur. Faktet janë që më në fund në Shqipëri të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Këto ditë janë jashtëzakonisht të mira për Shqipërinë. Shqiptarët më në fund shikojnë dritë në fund të tunelit.”

Sakaq, u ndal edhe tek zv.kryeministrja Belinda Balluku, që për Shehajn nuk shkojnë argumentet e Ramës se nuk e shkarkon pasi nuk ka kush të hedhë firmat për linjën ajrore Kanada-Shqipëri.

“Mjafton të zëvendësojë atë ministre. Nuk ka ministre tjetër që të hedhë firmën në vend të Belinda Balluku?! Është një moment historik. Kjo nuk ka të bëjë as me Veliajn, as me Belinda Ballukun, as me Edi Ramën. Është për Shqipërinë. Për ta bërë pjesë të vendeve perëndimore. Fati i tyre është vendosur.

Edi Rama mund të shpikë fushata denigruese ndaj SPAK, por fati i tyre është vendosur. Është vendosur jashtë. Edi Rama e ka të ardhmen ose në arrati, ose në burg. Ne duhet të mendojmë për të ardhmen. Si është drejtimi, puna që duhet të bëjmë? Ky është hapi i parë. Do vazhdojmë me diskutime të tjera. Nuk mund të vazhdojmë secili për hesap të vet.”