29 Tetor 2025

E marta e 28 tetorit mund të konsiderohet e zezë dhe e përgjakur. Tre persona humbën jetën dje si pasojë e sulmeve me thikë. Në Durrës, babai vrau djalin. Në Tiranë, picieri vrau kolegun e tij brenda në lokal ndërsa në Berat, një vizitor nga kryeqyteti u qëllua me thikë nga pronari i një kali në zonën e kalasë.

Tre ngjarje kriminale me emërues të përbashkët, një fjalë goje që çoi në ekstrem. Sot janë zbardhur edhe dëshmitë e autorëve të krimeve.

Kristo Mema i cili shëtiste turistët me kalë në kalanë e Beratit, qëlloi për vdekje Keli Hoxhën në sy të familjarëve dhe vizitorëve të tjerë. Ky i fundit i preku kalin, ndërsa përpara autoriteteve, Mema ka rrëfyer si e bëri vrasjen.

“I thashë mos e prek kalin se është i acaruar sot dhe mund të reagojë keq, por ai më shau dhe ofendoi. Humba kontrollin, mora thikën që e mbaja në samarin e kalit dhe e godita në gjaknxehtësi.”-ka dëshmuar Mema.

Në Tiranë, Filip Shehu, prej 3 muajsh punonte si ndihmës picier dhe ku ishte vartës i Indrit Ismaillarit, viktimë në ngjarje. 43-vjeçari Shehu deklaroi se është ndjerë i fyer dhe i poshtëruar publikisht me fjalë të rënda para kolegëve, për një proshutë pice.

“Jam ndjerë i ngacmuar gjatë gjithë kohës dhe nuk duroja më. Kishim debate të vazhdueshme për punën, por ai më ngacmonte shpesh. Viktima më tha mos merr këtë proshutë të hapur që është në frigorifer, por merr proshutë të re. Ai shkoi të merrte proshutën e re dhe aty nisëm të ziheshim. Më shau me fjalë të rënda dhe aty nuk durova”, ka dëshmuar Shehu. Viktima u qëllua tre herë me thikë kuzhine, një herë në qafë dhe dy herë në bark.

Në Durrës, Pjetër Kodheli u vra nga i biri. Ky i fundit, pretendon se ka pasur konflikte të vazhdueshme me të atin dhe gjatë drekës, ai nuk po e linte të qetë.

“Po hanim drekë dhe papritur babai mu hodh me nerva në debat. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e kujtoj mirë pse ndodhi, por kemi pasur konflikte të vazhdueshme që prej se jam kthyer nga Greqia, disa muaj më parë”, ka dëshmuar Kodheli.