22 Shtator 2023

Janë aktivizuar tre vatra zjarri mesditën e së premtes në Fier, në vendin e quajtur Mbrostar, në Pishporo, dhe në lagjen e romëve në Levan.

Efektivët zjarrfikës janë ndarë për të neutralizuar flakët në të gjitha vatrat, por më problematike situata u paraqit në lagjen e romëve ne Levan.

Fillimisht zjarri ka rënë në një kanal anësor e më pas flakët të favorizuara edhe nga era janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar edhe banesat pranë.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë tre automjete zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve.

Ata janë ndihmuar me mjete rrethanore, edhe nga banorë të zonës të cilët janë alarmuar nga flakët që po përhapeshin me shpejtësi drejt banesave të tyre.