Top Story: –  Nepotizmi në drejtësi, identifikohen mbi 100 persona që kanë lidhje familjare dhe farefisnore

30 MARS 2021

Nepotizmi dhe influenca në drejtësi kanë shoqëruar për më shumë se 30 vjet shoqërinë shqiptare. Të gjendur në këto kushte qytetarët kanë humbur besimin te drejtësia. Ndërkohë që kjo e fundit është kthyer në një nga hallakat më të korruptuara të sistemit.

“Edhe në sondazhin tonë edhe në sondazhe të tjera duket që nuk ka ndonjë dallim të madh mes gjykatës dhe prokurorisë. Shqiptarët pavarësisht se e bëjnë diferencën se kush është njëra dhe tjetra, i shohin përafërsisht një llojë të korruptuara të dyja” u shpreh Gjergj Vrumo, Drejtor Programi në IDM

Numërohen mbi 100 persona që kanë lidhje me njëri tjetrin në sistemin e drejtësisë. Ndoshta ky numër është edhe më i lartë, por Top Story kaq ka arritur që të identifikojë. Por sa e drejtë është që të kemi të punësuar njerëz nga e njëjta familje brenda sistemit të drejtësisë? Çfarë ndodh me influencat që kanë njerëzit e të njëjtës familje në drejtësi? Sa të sigurt janë qytetarët se askush nuk do të manipilojë të drejtën e tyre?

“Nepotizmi është shumë i rrezikshëm dhe shumë i dëmshëm sepse gjyqësori presupozohet si një pushtet i pavarur. Është gjyqësori ai që jep verdiktin përfundimtar për një shkelje që mund të ketë ndodhur nëse një autoritet ka shkelur ose jo ligjin. Nepotizmi ndikon drejtëpërdrejtë tek themeli ose parimet bazë të sistemit gjyqësor që kanë të bëjnë me vërtetësinë, panësinë dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Erinda Skëndaj, Drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit

Në 2016 grupet e interesit dhe shoqatat e gjyqtarëve sulmuan ligjin që ndalonte promovimet në sistemin e drejtësisë brenda rrethit të bashkëjetuesve dhe për personat me lidhje familjare deri në një shkallë të caktuar sipas kodit civil.
Gjykata Kushtetuese në atë kohë shfuqizoi disa dispozita të këtij ligji. Ndër to u shfuqizua edhe neni 8 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

“Nepotizmin në vende si Shqipëria nuk mund ta lësh thjesht në pjesën e moralit individual që ka secili. Aq më tepër që ka qënë ndër sistemet që ka sjellë më tepër përfitime financiare dhe nga ana tjetër kanë pasur edhe rrogat më të ulta.Në 2019 ndërhyri kuvendi dhe nuk lejoji shfuqizimin total të ligjit sa i përket papajtueshmërisë ambientale. Ata modifikuan nenin tetë duke e lënë në dorë të këshillave për të vlerësuar rast pas rasti gjyqtarët dhe prokurorët për të mos cënuar zhvillimin e karrierës së tyre” u shpreh politologu, Ilir Kalemaj

Gazeta Shqip