“Tom Kuka”, zbulohet e fshehta e Enkel Demit. –

Emrin e Enkel Demit nuk do ta lidhim më vetëm me televizionin dhe median por edhe me letërsinë. Demi ka zbuluar publikisht identitetin e tij të fshehur pas pseudonimit Tom Kuka. Një vit më parë ai botoi romanin “Hide mbi kalldrëm” nën këtë emër dhe vetëm pak javë më parë shtëpia botuese “Pegi” hodhi në treg një tjetër roman të tij, “Gurët e vetmisë”. Por Demi vendosi të thyente heshtjen dhe të pranonte se ishte ai autori i dy librave të përfolur. Romani i parë “Hide në kalldrëm” na çon në Shqipërinë e viteve 30-të. Vitet e një Shqipërie që më në fund ka një emër, një qeveri dhe një kryeqytet. Dhe ç’kryeqytet! Tirana na shpaloset me tonalitetet e një fotografie bardhezi, në të cilën, falë një rrëfimi mjeshtëror, ndiejmë kutërbimin e kanalizimeve në qiell të hapur, të djersës së mëditësve, të qenve që rrëmojnë rrugëve, por edhe erën e sapunit të rrobave, të gatimeve në shtëpitë përdhese dhe të frutave që rëndojnë në pemët e oborreve të tyre. Pluhuri i bardhë i allçisë dhe i rrugëve na mahis sytë dhe gëlimi i zhurmshëm i vegjëlisë në pazar na vret veshin.

E në këtë zallahi zërash e personazhesh, Di Hima, kryehetuesi i Tiranës, një burrë i mençur, me karakter tërheqës dhe ende i pamartuar, heton mbi vrasjen e Andon grekut, duke zbuluar një botë sekretesh e shantazhesh, nga e cila mund ta shpëtojë vetëm një dashuri e thjeshtë dhe e paqtë. Në romanin e dytë motivet janë nga Çamëria. Boshti i romanit përcillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit. Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had. Avduli fantazmë kërkon të paralajmërojë jo vetëm të birin, në të ardhmen, por edhe Feritin, në të shkuarën për mynxyrën e madhe që po gatitet. Oguret e zeza që përshkojnë kohërat duan t’i nxitin njerëzit të lënë laçkë e plaçkë e të ikin, të shpëtojnë kokën.

Armiku kërkon jo vetëm kamjen e tyre, por të ndërrojnë gjuhë e emër, të asimilohen krejtësisht, derisa t’u shuhet fara. Autori ka ditur të tregojë me mjeshtëri jetën e përditshme të fshatit, të ndarë vetëm teorikisht mes kaurësh dhe muhamedanësh, shoqëruar gjithnjë me nota humori, të shkaktuara hera-herës nga frika e së resë dhe padituria; ka sjellë dhembjen e dashurisë që lëshon shigjeta reale sa ta bën trupin gjak, erosin që ta humbet mendjen deri në delire. Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qejflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe. Historia e tyre plekset me mite e legjenda, të cilat jo vetëm janë pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por janë pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar.

Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall. Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. E, megjithatë, kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhtuar e të braktisur. Ngjarjet që rrëfehen këtu kanë ndodhur dje, por mund të ndodhin edhe sot.

gazeta-Shqip.com