12 Gusht 2025

Tirana, por jo vetëm po përvëlon nga temperaturat ekstreme të këtyre ditëve.

Termometri ka shënuar 43 gradë në hije pasditen e së hënës dhe kështu ka vijuar edhe dita e martë.

Temperaturat ekstreme kërkojnë kujdes të shtuar si tek individët e shëndetshëm dhe ata që kanë sëmundje kronike vlerëson mjekja kardiologë, Engjellushe Hasani .

“Personat që ndiejnë më tepër janë ata që kanë insuficiencë kardiake, ankth, ata me diabet”, thotë Engjellushe Hasani, kardiologë.

Për herë të parë mjekët këshillojnë reduktim të aktivitet fizik. Dhe ja çfarë duhet të bëjmë tjetër.

“Në orët e pikut nuk duhet të dalim, ata me sëmundje në mënyrë absolute jo. Ne këshillojmë ujë deri ne dy litra. Madje edhe kur nuk kanë etje duhet të pinë ujë. Në këto temperatura zemrës i duhet të punoje dy deri në 4 herë më shumë për të arritur balancën termike”, shprehet Hasani.

Por si mund të përballohen këto temperatura në kushte shtëpie për ata që nuk e kanë një kondicioner ose nuk e durojnë atë.

“Mund të përdorin edhe akull në qafë të vendosur në një nape, në kofshe. Në këto temperatura bëni kujdes edhe me ushqimin të jenë të freskëta dhe jo shume kalorike”, përfundoi mjekja kardiologë Engjellushe Hasani.