Teodor Anastas Kavalioti, mendimtar, filozof dhe iluminist, drejtor i Akademisë së Voskopojës.

Në çdo vepër të tij Teodor Anastas Kavalioti nuk harron të shënojë, bashkë me emrin, dhe vendin që e pat lindur, Voskopojën. Kurse data e lindjes nuk i dihet me siguri. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa studimet më të zgjeruara i kreu në Janinë, me mësuesit më të shquar të kohës. U kthye në Voskopojë, ku vijoi të studionte, por edhe të mësonte nxënësit e zonës. Më 1743 u emërua mësues i shkollës së Voskopojës, kurse më 1746 drejtor i saj.

Pas përfundimit të ndërtesës së re më 1750, shkolla u emërtua Akademi e Voskopojës, duke marrë mbi vete, me meritë, lavdinë e së dikurshmes Akademi të Athinës. Voskopojarët patën meritën e ndërtimit të saj, kurse Kavalioti, pa dyshim, mban meritën e zhvillimit dhe kthimit të Akademisë në shkëndijë iluministe në një kohë jo fort të përshtatshme për të bluar idetë e Aristotelit, Antrakitit e Dekartit. Teksa merrej me mësimdhënien,

Dorshkrime Teodor Kalioti

Kavalioti edhe përgatiste tekste mësimore e vepra të mirëfillta autoriale. Kështu, më 1743 shkroi “Logjikën”, më 1752 “Fizikën” dhe më 1767 “Metafizikën”. Më 1760 botoi në shtypshkronjën e Voskopojës “Gramatikë e greqishtes”, kurse më 1774, meqenëse shtypshkronja në Voskopojë u shkatërrua bashkë me qytetin më 1769, botoi në Venecia veprën “Protopiria” (“Fillesat”), ku përfshihet dhe një fjalor trigjuhësh në greqisht, vllahisht e shqip me 1170 fjalë, duke na dhënë një fjalës të pasur, gjithmonë për kohën, të shqipes së asaj periudhe. Veç veprimtarisë arsimore, Kavalioti ishte edhe klerik, dhe mbante gradën e protopapës së Voskopojës. Ndërroi jetë në vendlindje më 11 gusht 1789.

Dorshkrime Teodor Kalioti

Dorshkrime Teodor Kalioti

Në Arkivin Qendror Shtetëror ruhen dorëshkrimet e dy prej veprave të Kavaliotit, të cilat i sjellim në imazhet e mëposhtme: “Fizika”, 2 vizatimet e barometrit që shoqërojnë tekstin, dhe “Metafizika”.

Nga: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tirane