29 Dhjetor 2025

Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në konferencën për shtyp se nëpërmjet AKSHI-t është cenuar jo vetëm siguria kombëtare nëpërmjet të vjedhjes së të dhënave sekrete, por edhe aleanca e Shqipërisë me vendet partnere të NATO-s, nëpërmjet informacioneve që ato përcillnin nëpërmjet këtij rrjeti sigurie.

Ai e cilësoi dosjen e AKSHI-t se janë veprat më të shëmtuara në historinë e kombit.

“Në dosjen e AKSHI-t janë veprat më të shëmtuara në historinë e kombit. Vjedhja e plotë dhe totale e të gjitha të dhënave të sigurisë kombëtare dhe ato që kanë lidhje me aleancën e Shqipërisë dhe vijnë nga vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Shqipërisë. Kalimi i këtyre të dhënave në duart e bandave dhe armiqve të betuar të kombit shqiptar dhe NATO-s”, tha ai.

Ai akuzoi edhe familjen e kryeministrit Edi Rama për implikimin në dosjen e AKSHI-t sipas provave të SPAK-ut.

“AKSHI ekskluzivitet total i familjes së kryeministrit”, tha Berisha.

Më tej shtoi se Rama është përgjegjës direkt tek kjo dosje:

“Rama e ka përgjegjësinë më të rëndë se Balluku. Kopshti privat i Ramës, AKSHI, nuk është kontrolluar nga Lubi Balluku. AKSHI ka qenë ekskluzivitet total i familjes Rama. Dosja e AKSHI-t nuk është vetëm dosja e vjedhjeve të qindra milionë eurove nëpërmjet baxhanakut të tij në AKSH dhe implikimi që tregojnë regjistrimet e bashkëshortes së tij në përcaktimin e fituesve. Nuk janë vetëm pengmarrje, 3 pengmarrje, jo dy”, tha kreu i selisë blu.

Berisha përshëndeti edhe protestën e banorëve të Vlorës për mungesën e ujit, duke i mbështetur, teksa apeloi për reagim mbarëkombëtar, me qëllim rrëzimin e qeverisë së korruptuar dhe regjimit të dytë diktatorial.