Spartak Ngjela paralajmëron trazira, kërkon ndërhyrjen urgjente nga Edi Rama: Do të ketë protesta në…

…”Publiku po organizohet dhe do të dyndet në Korçë për të mos e lejuar këngëtarin serb të japë koncertin e planifikuar”. …

6 GUSHT 2021

“Më kanë shkruar shumë persona”, Spartak Ngjela

Lajmi se këngëtari serb, Goran Bregoiviç, do të këndojë para publikut shqiptar në “Festën e Birrës” në Korçë, ngjalli shumë reagime në Shqipëri, të cilët u shprehën kundër vendimit të organizatorëve.

Avokati Spartak Ngjela kërkon që shteti të ndërhyjë pasi patriotizmi shqiptar po organizohet dhe do të dyndet në Korçë për të mos e lejuar këngëtarin serb të japë koncertin e planifikuar

REAGIMI I SPARTAK NGJELËS

Në këto momente, po krijohet tension në patriotizmin shqiptar kundër këngëtarit serb, të quajturit Goran Bregoviç, i cili po kërkon të këndojë në festën e birrës në Korçë, që fillon në datën 18 gusht.

Ky këngëtar paska kënduar një këngë kundër çlirimit të Kosovës.

Por ftesën, jo se ia ka bërë Korça, por ata që organizojnë festën apo panairin e birrës.

Nuk e njoh këtë këngëtar, se unë nuk e njoh fare muzikën serbe. Nuk e dëgjoj, se ajo më është dukur një melodi katundareske…

Por, më kanë shkruar shumë persona për këtë tip.

U interesova ta di kush është ky këngëtar. Sipas sugjerimeve që më bënë, dhe, për ato që pashë e më përkthyen, ardhja e tij sigurisht që është një turp shqiptar.

Shteti duhet të tregohet më i kujdesshëm në marrëdhënie të tilla.

Po cili shtet? Shteti i Edi Ramës dhe i Ilir Metës?

Ndërsa, shenjat janë që ndërkohë patriotizmi shqiptar po organizohet dhe do të dyndet në Korçë për të mos e lejuar këngëtarin serb të japë koncertin e planifikuar.

Por, edhe shteti duhet të ndërhyjë, se është e provuar që ky këngëtar ka kënduar një këngë në mbështetje të terrorit serb në Kosovë, gjatë luftës së vitit 1999.

Sigurisht, muzika është universale, kjo dihet, por teksti terrorist i një melodie që sjell me vetë një këngë që ka inspirim terrorist, është amorale deri në krim.

Ajo që po del e provuar, sikurse e shprehëm, shihet që ky i quajturi Bregoviç, në vitin 1999, ka kënduar këngën me titull “Kallaçnikov”, në luftën e terrorizmit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.

Kjo, sigurisht që me të drejtë ka prekur ndjeshmërinë patriotike të shqiptarëve, dhe protesta e tyre që mendohet të bëhet në Korçë gjatë panairit të birrës, është në organizim.

Bravo u qoftë!

Por, a do të arrijnë protestat ta ndalojnë këngëtarin Bregoviç të këndojë në Korçë?

Gazeta Sot