SPAK “sfidon” Edi Ramën, nxjerr dy vila super luksoze në pronësi të Linda Karçanajt, ja dëshmitari që hapi…
1 Prill 2026
Si funksiononte skema korruptive në bashkëpunim me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin
Të hënën, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit zbarkuan në një nga komplekset rezidenciale luksoze në jug të vendit dhe ushtruan kontroll në dy vila në pronësi të Ergys Agasit dhe një vilë në pronësi të Ermal Beqirit, dy biznesmenët e shumëkërkuar të drejtësisë, të cilët dyshohen se drejtonin një grup kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Burimet thanë se gjatë kontrolleve, të miratuara me vendim të Gjykatës së Posaçme janë marrë materiale dhe pajisje kompjuterike, të cilat do të verifikohen nga hetuesit financiarë dhe do të analizohen në raport me provat e tjera. SPAK ka dyshime se Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e AKSHI, e cila akuzohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri zotëron pasuri të fshehura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Për Karçanajn, kryeministri ka deklaruar se jeton me qira, ndërsa SPAK pretendon se ka zbuluar pasuri që zotërohen në mënyrë të tërthortë nga ish-zyrtarja e lartë, e cila aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjithashtu burimet thonë se është zbuluar dhe apartament që dyshohet të jetë pasuri e fshehur nga Hava Delibashi, ish-zv.drejtoresha e AKSHI e cila po hetohet në gjendje të lirë, për shkak të shtatzënisë. Vila dhe apartamentet i janë nënshtruar kontrolleve, ndërsa janë duke u marrë në pyetje personat e implikuar, përderisa bëhet fjalë për një skemë të sofistikuar pastrimi parash dhe mekanizëm për fshehje pasurie.
Kush e hapi “Kutinë e Pandorës”?
Personi që dyshohet se ka fundosur Karçanajn është Daniel Shima. Në cilësinë e personit që ka dijeni, Shima ka dhënë 3 herë deklarime në SPAK, duke treguar detaje mbi procedurat tenderuese dhe disa pasuri të Karçanajt. Nisur nga këto deklarime të një dëshmitari që SPAK, në këtë fazë të hetimit, e konsideron të mbrojtur, hetuesit kanë nisur një hetim pasuror ndaj Karçanajt, Agasit dhe Ermal Beqirit. Ka qenë Shima që u ka treguar hetuesve se mes pasurive që disponon Mirlinda Karçanaj është një vilë e regjistruar në emër të personave të tjerë në Qerret të Kavajës dhe Palasë të Dhërmiut. Sipas ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, ai e ka parë disa herë Mirlinda Karçanaj të pushojë në verë dhe në ditët e fundjavës, pikërisht në dy vilat në Qerret dhe Palasë. Lidhur me prezencën e saj në këto dy vila luksoze është marrë në pyetje në SPAK edhe Mirlinda Karçanaj, e cila ka pretenduar, duke pranuar se ka qenë me pushime ditore në këto dy vila, por ka shtuar se ajo nuk është pronare e këtyre vilave. Sipas Karçanaj, vila në Palasë i përket ish-nën/drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Ndërsa Daniel Shima, në deklarimin e tij, pretendon se banesa luksoze i përket Mirlinda Karçanaj.
Sipas SPAK, në fakt vila luksoze është e regjistruar në emër të një punonjësi të Daniel Shimës. Ndërsa, për sa i përket vilës tjetër në zonën e Qerretit, e cila mëngjesin e djeshëm u kontrollua nga SPAK, mësohet se kjo banesë është e regjistruar në emër të një shtetasi nga Kukësi. Ky person është lokalizuar dhe shoqëruar në SPAK për të dhënë shpjegime. Mësohet se ai ka deklaruar që nuk kishte shumë informacion mbi atë çfarë kishte ndodhur me këtë pronë. Dhe menjëherë pas administrimit të këtyre provave, prokurorët e dosjes, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, kanë kërkuar ushtrimin e kontrolleve në 4 banesa. Një në Tiranë, që është shtëpia e nënës së Mirlinda Karçanaj, në të cilën aktualisht ish-zyrtarja po qëndron në masën e “arrestit në shtëpi”.
Një në zonën e Qerretit në Kavajë dhe dy të tjerat në zonën e Palasës në Dhërmi. Gazetari Elton Qyno ka mësuar se në kuadër të këtij hetimi ka dalë edhe emri i biznesmenit të ndërtimit, Orest Sota. Fillimisht, emri i tij doli për shkak të një marrëdhënie qiraje që ka pasur me Mirlinda Karçanaj, ku kësaj të fundit i ka dhënë me qira një apartament banimi në kryeqytet. Vetë Karçanaj ka pretenduar në SPAK se banesën me qira e ka gjetur krejt rastësisht dhe pa u ndikuar apo orientuar nga askush. Sipas saj, numrin e banesës me qira e ka gjetur në një parukeri, i cili ishte i ngjitur në xhamin e derës.
Pronat e deklaruara nga Karçanaj në deklaratën e pasurisë
Karçanaj zotëron katër apartamente dhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, ullishte. Analiza e deklaratave të saj pasurore zbulon një rritje graduale të pasurisë së paluajtshme:
Apartamenti i parë: Që në vitin 2007, Karçanaj zotëronte 25% të një apartamenti 3+1 (94 m²) në Tiranë. Në vitin 2013, kur mori detyrën e drejtoreshës së AKSHI-t, ajo u bë bashkëpronare me 50%. Në vitin 2016, kjo pronë u rivlerësua në rreth 135 mijë euro. Ndërsa në vitin 2022, ajo u bë pronare e vetme e këtij apartamenti, përmes trashëgimisë.
Apartamenti i dytë: Në vitin 2016, Karçanaj dhe bashkëshorti i saj, Artan Babaramo, blenë një apartament tjetër 136 m² në Tiranë për 65 mijë euro, ku secili zotëronte 50%. Vetëm një vit më vonë, kjo pronë u rivlerësua në rreth 240 mijë euro.
Apartamenti i tretë: Po në vitin 2016, çifti blen një apartament 60 m² në Qerret për 17,340 euro. Apartamenti i katërt: Në vitin 2022, Karçanaj deklaroi se ishte bërë pronare e plotë e një tjetër apartamenti 73.5 m², sërish përmes trashëgimisë. Ullishtja: Përveç apartamenteve, Karçanaj zotëron edhe një ullishte me sipërfaqe 1,500 m², të cilën po ashtu e ka fituar përmes trashëgimisë në vitin 2022.

