4 Shtator 2026

Në reagimin e tij për “NTV Televizion”, gazetari  Basri  Çollaku theksoi se po atë ditë në një proces gjyqësor në Belgjikë për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, avokati i të pandehurve akuzoi drejtësinë shqiptare për selektim të dosjeve dhe mospërfshirje të personave me peshë politike, edhe pse emri i kryeministrit Rama përmendet në përgjimet e komunikimeve.

Po ashtu, Çollaku veçoi lënien në qeli në Francë të Ermal Beqirajt, i bashkëakuzuar me Agasin, si dhe paralajmërimin e një tjetër interviste komprometuese të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Gazetari ngriti shqetësimin se përdorimi i veçimit të dosjeve në “fraksione” nga Struktura e Posaçme po shërben si procedurë për të shtyrë hetimet dhe për të shpëtuar zyrtarët e lartë nga përgjegjësia penale.

Familjarët e Ramës

Çollaku deklaroi gjithashtu  në  një emision tjetër televiziv se Prokuroria Publike Europiane (EPPO) ka nisur hetime për çështje që lidhen me korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve shqiptarë. Sipas tij, në dy prej këtyre procedimeve ka përfshirje direkte ose indirekte të personave shumë pranë kryeministrit Edi Rama, duke përmendur edhe familjarë të tij.

Çollaku tha se këto hetime kanë nisur prej disa muajsh dhe se Rama duhet të jetë “shumë i alarmuar”. “Prokuroria Publike Europiane nisur hetime për çështje të rëndësishme, të zyrtarëve, pushtetarëve. Dhe unë them për dy nga këto procedime, kryeministri i vendit duhet të jetë shumë i alarmuar. Ai ka një, direkt ose indirekt ka një përfshirje në këtë me njerëz shumë pranë tij, unë do të thoja familjarë”, deklaroi Çollaku.

Informacionet e forta nga Basir Çollaku:

“Një individ i kërkuar prej tetë muajsh, pra që nga dhjetori i vitit të shkuar, për të cilin le të themi mediatikisht kishte informacion të shpeshtë se po drekon me qeveritarë, me pushtetarë, madje dhe me kryeministrin (kam lexuar lajme jo të pakta të kësaj natyre), edhe për aksesin që ai kishte në Policinë e Shtetit, ku përflitej që ishte, le të themi, donator i emërimit të drejtorit të mëparshëm, i emrave të rëndësishëm në Policinë e Shtetit; duket se kishte informacione dhe kredite për të qëndruar i patrazuar, si shumë të kërkuar të tjerë në Shqipëri, për të mos shkuar në qeli.

Unë e kam parë disi ndryshe atë ditë ndalimin. Këtë ma përforcon edhe sjellja e policisë. Kemi rikthimin e policisë në operacionet e SPAK-ut. Kishim operacionet e mëparshme, në pesë prej tyre të paktën kishim vetëm BKH-në, e cila kryente ndalime, arrestime, shoqërime, pa praninë e Policisë së Shtetit, dhe këtë e lajmëroi edhe drejtuesi aktual i kësaj strukture, duke shfaqur mosbesimin për konspiracione jo të pakta në operacione të mëparshme, si rrjedhje informacioni, largime, mosarrestime.

Këtë herë kishim Policinë e Shtetit. Dhe ajo që më bëri përshtypje gjatë ditës së ndalimit, shoqërimit dhe arrestimit të Agasit, kishte video më shumë se për spektaklin e këtij arrestimit këtu në Rinas, për regjinë informative. Ky është ai “ushqim për pula” i them unë shpeshherë, kur institucionet japin informacion të shpeshtë ditor për një ngjarje, katër herë, pesë herë reagojnë gjatë gjithë ditës. Duket sikur është një lloj sekëlldie dhe sikleti i brendshëm. Përse?

Ky më ngjan pak a shumë me arrestimin e Ilir Metës, jo nga përmbajtja, por nga forma e shpërndarjes informative: Duhet patjetër të marrin vëmendjen e medias, të marrin vëmendjen e informacionit, të marrin vëmendjen e gazetarëve se kjo është ajo ngjarje, për të mos shkuar diku tjetër. Ditën e këtij ndalimi, kishte dhe tri ngjarje të tjera që unë i kam gjykuar me peshë dhe me siklet të konsiderueshëm për kryeministrin e vendit. Cilat ishin?

Një proces gjyqësor në Belgjikë, pra një çështje që është edhe në gjykatën e posaçme në Tiranë për një grup kriminal për trafik ndërkombëtar të kokainës në Belgjikë. Ermir Ndrea ishte drejtuesi i këtij grupi sipas dosjes belge, e cila është edhe në Tiranë. Quhet belge sepse ka filluar atje, por quhet edhe shqiptare sepse është këtu dhe është në nisje të procesit. Një nga përgjimet e publikuara ishte: “Kryeministri Rama ka pjesën e tij.”Cilën pjesë? Se ata po flisnin për trafik droge, pastrim parash, blerje hotelesh, miliona euro. Ka dhe persona të tjerë aty që flasin, bisedojnë në telefon për të ekzekutuar skemën se si të shkojë pjesa te kryeministri. Avokati i të pandehurit, avokati belg, ka dhe një lloj akuze për strukturën e posaçme në Tiranë.

Një ndër qortimet e tij ose pretendimet e tij, thotë që dosja belge dhe dosja e Tiranës janë e njëjta, por unë shoh se ndryshe nga këtu në Belgjikë, në Bruksel, në Tiranë prokurorët atje marrin nga materialet elementët që rëndojnë situatën penale të klientit të mbrojtur nga unë dhe nuk shfrytëzojnë materiale për persona të tjerë politikë dhe të pushtetit. Ngjarja tjetër e dyta, po atë ditë në Francë, gjykata la në qeli Ermal Beqirajn, të bashkëakuzuar me Agasin, në përpjekje për ekstradim. Thonë nuk do të ekstradohet, gjithsesi ai ka materiale të mjaftueshme për të thënë që ka frikë nga Rama, për punën që mund të ketë bërë me Ramën.

Dhe po atë ditë u lajmërua një intervistë e Arben Ahmetajt, e pesta mos gaboj, në të cilën ka gjëra sërish për kryeministrin e vendit, kompromentuese. Janë tri ngjarje të forta me shigjeta penale ndaj kryeministrit. Pa kaluar te Ahmetaj, gazetarët duhet të merreshim gjatë gjithë ditës e deri më sot, derisa të merrnim përgjigjen e kryeministrit: Cili është pozicioni jot në dosjen belge?

Se nuk është e vetmja, ka dhe të tjera ku përmendet emri i Ramës, i Taulant Ballës, i disa ministrave të tjerë aty, aq i përsëritur është. Dhe nuk është për arsye njohjeje. Pretendimet e përgjimeve të shumta që janë, që struktura e posaçme pra ka marrë akuza dhe nga vendet partnere perëndimore, është se po selekton. Dhe çfarë janë në fund të fundit fraksionet? Janë “prit radhën”.

Çfarë është ky fraksion? 10 vjet fraksion! Dhe tek fraksioni çuditërisht na dalin emrat siç është tek Aruba, por edhe këtu, edhe te dosjet e tjera të inceneratorëve: Janë emrat e ministrave, deputetëve, të cilët do të presin radhën për t’u hetuar te këta fraksionet. Dhe kur të kalojnë dy, tre apo x vite, na del pakëz kot procedura, afati tjetër, rrëshqasin, humbasin. Ata te fraksioneve are pikërisht objekti i SPAK-ut, konvertohet në fraksion dhe shpëton për procedurë”.

Nga Gazeta Sot