25 Korrik 2023

Vijon emergjenca e zjarreve në Greqinë fqinje. Pas Rodosit, edhe ishulli i Korfuzit po përballet me situatë alarmante, si pasoje e flakëve të shpërthyera pasditen e së dielës. Të paktën 2500 vetë u evakuan nga 17 fshatra dhe roja bregdetare shpëtoi 59 persona që gjendeshin në plazhin e Nisakit.

Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të penguar që flakët të arrinin zonat e banuara dhe sipas autoriteteve lokale shumica e vatrave janë vënë nën kontroll. Deri më tani, banesat dhe hotelet nuk janë prekur, por për motive të sigurisë banorë dhe turistë janë larguar nga zonat e afërta me frontet e zjarrit, dhe janë transferuar në stadiumin Agios Markos dhe teatrin e Korfuzit.

Video që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë vendas e turistë teksa largohen në këmbë, duke tërhequr valixhet e t

Edhe ishulli i Rodosit përjetoi një fundjave ferri, me flakët që arritën resortet turistike duke detyruar rreth 19 mijë persona të largohen nga banesat apo hotelet. Turistët e kaluan natën në qendra emergjence apo aeroporte, teksa presin që kompanitë ajrore të organizojnë fluturime për t’i kthyer në shtëpi.

“Po qëndrojmë këtu prej dy ditësh. Nuk ka batanije, nuk ka asgjë. Ka fëmijë të shtrirë këtu, të cilët kanë nevojë për qumësht. Nuk kemi marrë asnjë informacion nëse do të kthehemi në shtëpi apo jo”, thotë një turist austriak.

Turqia, Kroacia dhe Egjipti kanë dërguar avionë për shuarjen e flakëve në Rodos, i cili bashkë me Korfuzin është mes ishujve më të preferuar në Greqi, veçanërisht nga turistët britanikë dhe gjermanë.

Shërbimet e emergjencës po luftojnë me flakët edhe në ishullin e Evias në lindje të Athinës dhe Aigio në jugperëndim të kryeqytetit. Greqia, ashtu si Spanja dhe Italia po përvëlohet prej ditësh nga temperatura mbi 40 gradë.

Gazeta Dita