18 Tetor 2025

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, njoftoi se pika kufitare Rafah, në Rripin jugor të Gazës, në kufirin me Egjiptin, do të mbetet e mbyllur “deri në njoftim të mëtejshëm”.

Deklarata sqaroi se hapja e pikës kufitare me Egjiptin do të merret në konsideratë në varësi të faktit nëse Hamasi i kthen trupat e pengjeve dhe i zbaton marrëveshjet.

Më parë, ambasada palestineze në Egjipt kishte njoftuar se vendkalimi kufitar Rafah, i cili ka qenë i mbyllur që nga maji i vitit 2024, do të rihapet të hënën.

Hamasi ende nuk i ka kthyer të gjithë trupat e pengjeve izraelite që mori më 7 tetor 2023 gjatë sulmit terrorist, teksa aktualisht ka vënë edhe mjetet e rënda në punë, si eskavatorët, për të lëvizur gërmadhat e rrënojat, me qëllim gjetjen e trupave të pengjeve. Izraeli pret dorëzimin e 19 trupave, teksa sot i ktheu palës tjetër 15 trupa të palestinezëve.