Situata me zjarret në Shqipëri: – Gojani në Pukë zona më problematike

22 Gusht 2026
Në Gojan–Gjegjan–Tërbun, Pukë, vijon një angazhim i përforcuar me 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Konkretisht, janë angazhuar 50 efektivë MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra, 14 punonjës të Shërbimit Pyjor, 68 punonjës të shërbimeve vendore, 70 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 53 efektivë të FA-së. Operacioni mbështetet nga 2 helikopterë të FA-së. Situata paraqitet e përmirësuar në sipërfaqet pyjore të Gojanit, në lagjen Meshursh, Gojan i Vogël dhe Gjegjan, ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv në drejtim të Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit. Situata paraqitet më e rënduar në lagjen Pepaj, Gojan i Madh, ku vatra është afruar pranë banesave.

Deri tani raportohen 4 banesa të pabanuara të djegura, ndërsa një banesë e banuar që ishte në rrezik është shpëtuar. Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake, ndërsa aktualisht vijon ndërhyrja nga ajri me 1 helikopter.
