Situata me zjarret, Marjana Koçeku: Shteti ka më shumë prioritet Paketën e Maleve, sesa vetë mbrojtjen e tyre! Po digjet pasuria më e madhe e vendit

Mariana Koceku
12 Gusht 2026
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila u largua nga PS disa javë më parë pas nisjes së protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, ka bërë një reagim në lidhje me situatën e zjarreve që kanë prekur vendin ditët e fundit.
Në një postim, deputetja thotë se shteti kërkon ta ‘delegojë’ fajin, duke mos marrë përgjegjësi si garant kryesor i mjedisit.
“Nji shtet serioz kishte me mbajtë përgjegjësi në të dyja rastet, sepse kishte me e konsideru veten si garantin kryesor për sigurinë e mjedisit dhe pasunisë natyrore. S’kishte me e delegu fajin te kurrkush.”, shkruan ajo.
Neomalësorja, shprehet me ironi se qeveria ka pasur më shumë prioritet Paketën e Maleve, të cilën ajo e ka kundërshtuar edhe më herët, sesa vetë mbrojtjen e maleve që janë një pasuri e vendit.
“Me kështu lloj prioritetesh dhe me kështu lloj paketash nuk kanë me u djegë veç malet, por vetë demokracia, dhe pasunia ma e pasun e këtij vendi: Natyra jonë.”, shton ajo.
Reagimi i plote:
Zjarret e kanë mbërthy këtë vend, prej jugut në veri. Lura, Kruja, Mallakastra, Fushë-Arrëzi, Orenja…
Disa thonë se janë të qëllimshme, disa të paqëllimshme, por pak rëndësi ka kjo punë.
Në të dyja rastet asht me të ardhë keq. Ajo që duhet me na interesu sot, ma shumë se kurrë, asht si me i parandalu këto dame kolosale që po i bahen natyrës dhe parqeve tona.
Nji shtet serioz kishte me mbajtë përgjegjësi në të dyja rastet, sepse kishte me e konsideru veten si garantin kryesor për sigurinë e mjedisit dhe pasunisë natyrore. S’kishte me e delegu fajin te kurrkush.
Nji shtet solid s’kishte me e konsideru mbrojtjen nga zjarret si çështje improvizimi, por si çështje sigurie, që kërkon planifikim, mjete, parapërgatitje dhe ndërgjegjësim përgjatë gjithë vitit, dhe jo në momentin e fundit.
Por me sa duket, prioriteti i këtij shteti ka qenë ma tepër Paketa e Maleve, sesa mbrojtja e vetë Maleve.
Me kështu lloj prioritetesh dhe me kështu lloj paketash nuk kanë me u djegë veç malet, por vetë demokracia, dhe pasunia ma e pasun e këtij vendi: Natyra jonë.
