
“Sistemi kriminal i patronazhistëve, polici terroriste ndaj votuesve”. – Berisha rendit arsyet e humbjes në zgjedhje: – U aktivizua Sigurimi i Shtetit, i aplikua sistemi punë për votë dhe…
13 Maji 2025
Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar ndaj rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar humbjen e opozitës si pasojë e një “makinerie kriminale shtetërore” që, sipas tij, manipuloi vullnetin e qytetarëve në mënyrën më brutale të mundshme. Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë për përdorimin e strukturave shtetërore për të siguruar fitoren.
“Falja e 1.2 miliardë euro gjoba dhe shpërndarja e zarfeve me 100 euro është blerja më e fuqishme publike që ka ndodhur në historinë e këtij vendi. Është një skemë e organizuar dhe kriminale e blerjes së votës”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për lejimin e kultivimit të mijëra hektarëve me kanabis, të cilët, sipas tij, janë përdorur si burim financiar për blerjen masive të votave.
“Dhjetëra mijëra hektarë me kanabis u lanë të mbillen me leje. Çdo bimë me fitim prej 1 mijë euro është llogaritur për të blerë votën e shqiptarëve në mënyrën më të pamëshirë”, tha ai.
Berisha denoncoi edhe një tjetër fenomen që e cilësoi si “punësim në këmbim të votës”, një praktikë që, sipas tij, u aplikua gjerësisht në këtë proces zgjedhor.
“Punësimi ‘punë për votë’ u aplikua masivisht në këto zgjedhje. Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur rreth qendrave të votimit, funksionoi si polici terroriste ndaj zgjedhësve shqiptarë”, deklaroi Berisha.
Më tej, ai akuzoi drejtues të lartë të Shërbimit Informativ të Shtetit për përfshirje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor, përmes aktivizimit të strukturave të vjetra të Sigurimit të Shtetit
“Dy drejtues të lartë të SHIK-ut, zëdhënës të drejtores, morën javët e para të fushatës të gjithë regjistrat dhe rrjetet agjenturore të Sigurimit të Shtetit dhe i aktivizuan për karrigen e Ramës”, shtoi ai.
Berisha tha se opozita po dokumenton me përgjegjësi çdo shkelje dhe e konsideroi këtë proces elektoral si një krim të strukturuar shtetëror, duke përmendur edhe manipulime të mundshme në votat e diasporës.
“E morët vesh besoj se në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS me 99.6%. Kemi të bëjmë me një Kore të Veriut të re në zemër të Europës”, përfundoi Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Falja e 1200 mln euro gjoba dhe zarfet me 100 eurio është blerja më e fuqishme publike që ka ndodhur në historinë e vendit.
Dhjetra mijëra hektarë kanabis të cilave u sha leje të mbillet, çdo bimë kanabisi me prodhim fitimi 1 mijë euro është llogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë.
Punësimi punë për votë u aplikua masivisht në këto zgjedhje.
Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur rreth qendrës së votimit, ishte një polici terroriste ndaj zgjedhësve shqiptarë.
Dy drejtuesit më të lartë të SHIK, zëdhënës të drejtores u morën javët e para me të gjithë regjistrat e rrjetet agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan për karrigen e Ramës.
Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral, që është aq monstruoz edhe në diasporë. E morët vesh vesoj se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99.6%. Kemi të bëjmë me Korenë e Veriut.