29 Tetor 2025

Siria, vend në Lindjen e Mesme, e ka njohur pavarësinë e Kosovës, njoftoi të mërkurën presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, të mërkurën në Riad.

Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Al Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, shkroi Osmani.

Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia e njohën atë.

Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet./ REL