“Shqipëria po ndahet si Dubai”/Muçi: Bregdeti po u jepet resorteve, ndërsa banorët mbeten pa prona

20 Maji 2026
Deputeti i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, foli për zhvillimin e bregdetit shqiptar dhe problemet me pronat, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si po ndërtohen resortet turistike në zonat bregdetare.
Sipas tij, Shqipëria po trajtohet si një territor që ndahet për investitorë të mëdhenj, ndërsa komunitetet lokale dhe natyra po mbeten në plan të dytë.
“Shqipëria po trajtohet si një Dubai që mund të jepet për resorte turistike, ndërkohë që kemi një vend me njerëz, me ekosisteme dhe me pasuri natyrore që po humbin çdo ditë.”-tha ai.
Muçi bëri krahasim me vende si Dubai apo Las Vegas, por tha se ndryshe nga ato zona të ndërtuara në shkretëtirë, projektet në Shqipëri po zhvillohen në territore të banuara dhe me vlera natyrore të veçanta.
Ai u ndal edhe te çështja e pronave, duke thënë se mungesa e zgjidhjes për dekada ka krijuar pasiguri për banorët që pretendojnë pronat e trashëguara.
“Çështja e pronave është lënë e pazgjidhur për 35 vite dhe sot shumë qytetarë, edhe pse kanë dokumente të vjetra pronësie, nuk arrijnë të mbrojnë të drejtën e tyre.”-u shpreh Muçi.
Sipas tij, ky realitet po favorizon projektet e mëdha turistike, ndërsa banorët e zonave bregdetare po humbin mundësinë për të përfituar nga pronat dhe zhvillimi i territoreve ku kanë jetuar prej brezash.
Muçi tha se modeli aktual i zhvillimit rrezikon të ndryshojë përgjithmonë identitetin natyror dhe social të bregdetit shqiptar.
