3 Shkurt 2026

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj asaj që e cilëson si një fushatë publike spekulative dhe populiste të ndërmarrë nga Kryeministri dhe e amplifikuar nga mediat, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të vendimmarrjes për çështjen e statusit financiar të magjistratëve.

Në një deklaratë të gjatë publike, shoqata thekson se kjo klimë synon linçimin e gjyqtarëve dhe ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Sipas shoqatës, nuk është detyrë e saj të argumentojë më tej kërkesat kushtetuese, pasi ato ndodhen tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, por është e domosdoshme të ndalet keqinformimi i opinionit publik dhe presioni politik ndaj gjyqtarëve.

Shoqata rikujton se prej vitit 2016 e në vijim, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në statusin financiar të magjistratëve, duke devijuar nga standardet e parashikuara fillimisht në reformën në drejtësi dhe nga neni 138 i Kushtetutës, i cili sanksionon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.

Në deklaratë renditen disa raste konkrete, ku sipas shoqatës, qeveria dhe Kuvendi kanë vepruar me “keqbesim”, duke ndryshuar ligje, dispozita tranzitore dhe referenca pagash, të cilat janë shfuqizuar në disa raste nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Shoqata thekson se iniciativat e saj nuk kanë si qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e statusit kushtetues, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratëve, duke e cilësuar si spekulative dhe të pavërtetë narrativën se bëhet fjalë për privilegje financiare.

Shoqata paralajmëron se sulmet publike ndaj gjyqësorit dhe paralajmërimet për ndërhyrje të reja edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një rrezik serioz për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe për demokracinë.

Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve nënvizon se veprimet e saj nuk janë destabilizuese, por përkundrazi kontribuojnë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në mbrojtjen e parimeve kushtetuese nga çdo ndërhyrje politike.

DEKLARATË E SHOQATËS KOMBËTARE TË GJYQTARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e Republikës së Shqipërisë e ka ndjekur me keqardhje dhe shqetësim fushatën e spekulimeve publike të ndërmarrë nga kreu i Këshillit të Ministrave dhe gjithashtu edhe zhvillimin mediatik të saj, që kulmoi mbrëmjen e kaluar. E gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.

Ndaj e vlerësojmë të nevojshme, jo të argumentojmë drejtësinë kushtetuese të pretendimeve të parashtruara në dy kërkesat e paraqitura, pasi artikulimi juridik dhe parashtrimi i tyre në gjykatën e ligjeve tashmë është një fazë e mbyllur procesi, por të mos lejojmë keqinformimin e publikut mbi qëllimet e këtyre iniciativave gjyqësore. Në respekt të parimeve të shtetit të së drejtës dhe standardeve të përbotshme demokratike dhe qytetare që Republika jonë aspiron, ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të ushtrojmë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, t’i intimidojmë gjyqtarët, t’i kërcënojmë apo t’u prishim atyre qetësinë e meshës, që duhet të ketë faza e mbrame e procesit, ajo vendimmarrëse. Tashmë ka vetëm një zë legjitim që duhet të dëgjohet dhe se ai zë i takon vetëm artikulimit të vendimit nga Gjykatës Kushtetuese.

Por ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, publike, mediatike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjykimit. Në gjithë këtë fushatë qeveritare dhe të shumëzuar mediatikisht, të nxitur dita-ditës për të krijuar furinë populiste kundër një procesi gjyqësor kushtetues, duhet që të përmenden disa fakte historike, të cilat neglizhohen për t’u cituar, qëllimisht nga disa dhe nga padijenia e mirëkuptueshme e të tjerëve.

Së pari, projektligji për statusin e magjistratëve, i hartuar nga ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë të mandatuar nga Komisoni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, parashikonte në vitin 2016 se statusi financiar i pagës së magjistratëve do të ishte gati një e treta në vlerë absolute më e madhe nga çfarë u vendos nxitimthi dhe pa debat publik për t’u bërë ligj nga Kuvendi në nëntorin e vitit 2026. Shpejtësia e miratimit të ligjeve në Kuvend dhe shmangia e debatit mbi këtë propozim, të gjithëpranuar në vitet e hartimit të paketës ligjore të reformës, bëri që cedimi i parë në këtë drejtim nga standardet e drejtësisë së re të ndodhte me miratimin e ndryshuar nga varianti fillestar i ligjit për statusin e magjistratëve. Ky ishte keqbesimi i parë i treguar në stafetën e atyre që vetëm mësojnë si të vijojnë dhe jo të ndalen.

Së dyti, sikur të mos mjaftonte ky cedim, në ligjin e nëntorit të vitit 2016 u parashikua se efektet financiare të pagave të magjistratëve do të nisnin nga data 01.01.2019. Kështu për dy vite dhe dy muaj reforma e re vendosi që magjistratët të paguhen me reformat e vjetra. Ky moment ishte keqbesimi i dytë në rradhë.

Së treti, stafeta iu pasua keqbesimit të tretë, pasi në momentin e fundit në Kuvend u ndryshua dispozita tranzitore e ligjit, duke u parashikuar se magjistratët që nuk kishin kaluar vetingun, në datën e shumë-dhe-mezipritur, 01.01.2019, do të vijonin të merrnin pagën e vjetër, atë të përcaktuar në vitin 2008, duke u zbatuar sakaq ligji i ri vetëm tek magjistratët që kishin kaluar vetingun. Kanë qenë pikërisht dy shoqatat e gjyqtarëve që i janë drejtuar në atë kohë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij cedimi të tretë në sinqeritetin e vullnetit të shtetarëve shqiptarë, pasi një trajtim i tillë ligjor cenonte standardet e përbotshme të drejtësisë dhe barazisë së shtetasve para ligjit. Falë ndërhyrjes shfuqizuese të Gjykatës Kushtetuese në atë kohë kjo padrejtësi e Kuvendit u ndreq dhe se statusi i magjistratit nuk u cenua.

Së katërti, para se të vinte data 01.01.2019, Këshilli i Ministrave me vendim dhe me keqbesim tregoi mungesën e katërt të sinqeritetit dhe vullnetit në këtë element të reformës në sistemin e drejtësisë. Paga e magjistratëve, prej ekspertëve të mandatuar vendas dhe ndërkombëtar dhe të miratuar nga shumica e kualifikuar e Kuvendit, ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që paga referuese të lidhej pazgjidhshmërisht me një kategori të caktuar funksionari të lartë të nëpunësisë civile në Kryeministri, duke patur parasysh mbrojtjen e statusit, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratit në këtë standard ekonomik progresiv, jo vetëm në momentin e miratimit të ligjit, por në çdo ligj që do të miratohej në të ardhmen, sipas vizionit të nenit 138 të Kushtetutës. Mungesa e katërt e sinqeritetit të vullnetit nga njëra anë dhe nga ana tjetër e keqbesimit të rradhës prej Këshillit të Ministrave solli që, nën udhëzimet e Ministrisë së Financave, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe më tej çdo gjykatë dhe prokurori në vend të merrte për bazë një referencë page më të ulët për ndërtimin e statusit financiar të magjistratit, duke qenë se tashmë kategoria e nëpunësisë në Këshillin e Ministrave, që kishte referuar ligji për statusin e magjistratit, ishte suprimuar qëllimisht dhe me keqbesim nga ekzekutivi.

Së pesti, për të ndrequr këtë pakushtetutshmëri, që i shkaktohej ligjit organik nga një akt nënligjor normativ, tashmë të evidentuar dhe të denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2020, Kuvendi legalizoi pakushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit të Ministrave, që para datës 01.01.2019 kishte suprimuar pikërisht pozicionin administrativ të nëpunësisë në Kryeministri vetëm e vetëm që të cenohej dhe të mos gëzohej statusi financiar i magjistratëve, duke i zbritur ato fiktivisht një kategori më poshtë në pagën referuese. Kjo ishte mungesa e pestë në rradhë e sinqeritetit dhe e vullnetit për zbatimin e këtij elementi të reformës në sistemin e drejtësisë. Pikërisht ky ligj është kontestuar nga shoqata e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe se në vitin 2022 kjo e fundit e shfuqizoi atë, duke argumentuar ndër të tjera se statusi financiar i magjistratëve nuk mund të reduktohej, se Kuvendi ishte i lirë të kompozonte pagën referuese por se kjo liri, sipas nenit 138 të Kushtetutës, kushtëzohej në çdo rast nga mospërkeqësimi cilësisht dhe materialisht i statusit financiar të tyre.

Së gjashti, si kundërvenie e kësaj qëndrese dhe emancipimi të pushtetit gjyqësor dhe shoqërisë civile të gjyqtarëve, Këshilli i Ministrave vendosi sërisht të ndërhyjë në statusin financiar të magjistratëve, duke e ulur cilësisht dhe materialisht atë por duke e fshehur këtë ulje nën keqbesimin e një formule që siguron vetëm vlerën absolute të pagës referuese por jo standardin e nenit 138 të Kushtetutës dhe standardin jurisprudencial të Gjykatës Kushtetuese. Të keqardhur nga kjo mungesë e gjashtë e sinqeritetit dhe nga ky kebesim i rradhës mbi zbatimin e një ndër elementeve më të rëndësishëm të reformës në sistemin e drejtësisë nga ana e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit, të indinjuar nga kjo sjellje dhe nëpërkëmbje e tyre mbi paprekshmërinë e dinjitetit të magjistratëve, shoqatat e gjyqtarëve kanë aktivizuar për të tretën herë radhazi juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, tashmë për të vendosur nëse ligji i vitit 2023 pajtohet apo jo me jurisprudencën e saj dhe me nenin 138 të Kushtetutës, i cili në ligjëratë të drejtë urdhëron se: “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen”.

Pikërisht kjo është historia e vazhdueshme dhe recidivizmit të ndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në statusin magjistratëve dhe në pavarësinë e pushtetit gjyqësor, në mënyrë të papajtueshme me Kushtetutën. Këto ndërhyrje antikushtetuese kanë nisur nga viti 2016, për ta vijuar në vitin 2019, në vitin 2021 dhe më tej në vitin 2023. Ndërkohë në ligjërimin e djeshëm të kreut të ekzekutivit u paralajmërua publikisht dhe kërcënueshëm se, edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, do të gjendet një zgjidhje e tjetër dhe alternative e stilit të sulmit të rradhës, që i bie të jetë keqbesimi i shtatë në rradhë, megjithëse deri më tani vetëm i premtuar.

Përmes këtij reagimi kërkojmë që të përcjellim publikisht se të gjitha iniciativat civile dhe kushtetuese të shoqatave të gjyqtarëve nuk kanë si qëllim “rritjen e pagës”, një term ky i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulant, vetëm e vetëm për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike dhe e fuqisë së përbaltjes. Gjithë këto iniciativa kushtetuese dhe civile të shoqatave të gjyqtarëve nuk janë ndërmarrë ndër vite për të përcjellë në publik debatin e gënjeshtët se cili profesion është më i rëndësishëm dhe se cili duhet të paguhet më shumë. Në këtë histori kundërshtimesh kushtetuese, tashmë prej 10 vitesh, nuk është pushteti gjyqësor që po kërkon t’i imponohet pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky është spekulim. E vërteta është se janë këto të fundit që kërkojnë të çbëjnë nenin 138 të Kushtetutës dhe bashkë me të edhe qëllimet kushtetuese se pse një normë e tillë është sanksionuar nga viti 1998. Ky është një qëllim keqdashës i fushatës publike të nisur për ta shndërruar procesin gjyqësor kushtetues në gjyq popullor.

Vlerësojmë se sjellja e shoqatave të gjyqtarëve, ndër vite, në këtë drejtim nuk duhet të perceptohen si destabilizuese për vendin, as nga pikëpamja sociale, ligjore dhe as nga pikëpamja financiare.

Përkundrazi, përpjekjet për t’i paraqitur ato në këtë mënyrë përbëjnë një tjetër qasje spekulative. E gjithë kjo sipërmarrje civile e shoqatave të gjyqtarëve përballë këtyre iniciativave qeveritare dhe legjislative, haptazi apo fshehtazi antikushtetuese, duhet të vlerësohet se vetëm kontribuon në forcimin e parimeve të shtetit të së drejtës, demokracisë, pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe gjithashtu edhe emancipimit të magjistratëve. Kjo sjellje duhet të reflektojë në publik vetëm ndjenjën e vendosmërisë qytetare për të mos lejuar nëpërkëmbjen nga asnjë pushtet.

Gazeta Panorama