8 Maji 2025

Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë për shtyp lidhur me një operacion të përbashkët të zhvilluar në qytetin e Shkodrës për goditjen e krimeve zgjedhore. Në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), u zhvillua faza e parë e operacionit të koduar “Premtimi”.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij operacioni janë kontrolluar gjashtë shtetas dhe nëntë automjete në qytetin e Shkodrës, si dhe në zonat e Bushatit dhe Vaut të Dejës. Si rezultat, janë sekuestruar 7 celularë, dokumente, para cash në euro dhe lekë, si dhe tollona karburanti. Policia theksoi gjithashtu se janë gjetur lista me emra qytetarësh, që dyshohet se lidhen me veprimtari të paligjshme në kuadër të zgjedhjeve.

Vendimi për zhvillimin e kontrolleve u mor nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 7 maj 2025, për kontrollin personal dhe të automjeteve ndaj personave: F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D.

Operacioni “Premtimi” është pjesë e një fushate më të gjerë të Policisë së Shtetit dhe SPAK për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet zgjedhore në mbarë vendin. Hetimet vijojnë.

Njoftimi i plotë

Punë intensive në bashkëpunim me SPAK, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e  zgjedhjeve.

U zhvillua në qarkun Shkodër, faza e parë e operacionit policor të koduar “Premtimi”.

Në bashkëpunim me BKH, u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve  ndaj 6 shtetasve.

Sekuestrohen celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që u gjetën këtyre shtetasve.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës intensive të bërë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, zhvilluan sot, në qarkun Shkodër, fazën e parë të operacionit policor kundër krimeve zgjedhore, të koduar “Premtimi“.

Në kuadër të kësaj faze u bë ekzekutimi i vendimit të datës 07.05.2025, të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontrollin fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, konkretisht ndaj shtetasve F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës;

-automjetit në pronësi të shtetasit F. V.;

-automjetit në pronësi të shtetasit B. P.;

-automjetit në pronësi të shtetasit D. D.;

-automjetit në pronësi të OSHEE-së, në përdorim nga shtetasi S. Z.;

-2 automjeteve në pronësi të shtetasit B. H.;

-3 automjeteve në pronësi të shtetasit Z. D.

Nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona  karburanti.

Hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë.