Helidon Bendo

SHISH-i tronditë Edi Ramën, media dhe institucione nën influencën malinje ruso-serbe…

NGA: Idriz Morina

19 PRILL 2022

Kreu i SHISH-it Helidon BendoSipas raportit rezulton se Qeveria nuk ka bërë asgjë për të penguar invazionin e shërbimeve inteligjente që kanë depërtuar në institucione, në politikëbërje, në media, në ekonomi, dhe thuaja në gjithë sistemin. Nëse është kështu atëherë, kryeministri i vendit Edi Rama duhet të jap dorëheqje ose të shkarkohet.Nëse kjo gjendje tashmë është faktike, dhe që SHISH-i, siç kuptohet nga këto mesazhe nuk ka arritur që t’i kundërpërgjigjet me kohë, atëherë duhet të jap dorëheqje edhe vetë kreu i SHISH-it.

A e mori përgjigjen e duhur Edi Rama nga SHISH-i, institucionet, mediat dhe sektorë të tjerë kontrollohen nga Serbia-Rusia dhe shërbime të tjera armiqësore?!

Më në fund duket se Shërbimi inteligjent i Shqipërisë ka nisur të punojë seriozisht në demaskimin e rolit të shërbimeve antishqiptare.

Në fakt në media nuk ka dalur një material i plotë, por është e rëndësishme që së paku, është konfirmuar pretendimi ynë disa vjeçar, se në Shqipëri rol kyç luajnë shërbimet inteligjente antishqiptare, kryesisht ai serb dhe grek.

Por, së fundi, sipas SHISH-it, rezulton se ka krijuar hapësirë të madhe veprimi shërbimi inteligjent rus, që së bashku me shërbimet tjera armiqësore në vend, janë kthyer në problem për Shqipërinë.

Rama a i shërbeu kësaj gjendje

Sigurisht që informacione të tilla ka pasur prej kohësh, por duke qenë se politika e institucioneve, e qeverisë para së gjithash ka krijuar varësi të re ndaj institucioneve të Serbisë, ku kryeministri i vendit në sy të botës, haptazi i del në mbrojtje Serbisë dhe Vuçiqit, ministrit të fshehjes së krimeve të regjimit të Millosheviçit, përbëjnë një goditje për politikat e ndjekura nga Edi Rama.

Lakuriqësisë së tij politike e diplomatike, i është bashkuar edhe ky raport, që përfundimisht dëshmon se në Shqipëri, është duke mbisunduar një raport i rrezikshëm politik, institucional dhe medial, që e rrezikon jo vetëm rendin juridik dhe demokracinë, por të ardhmen e vet shqiptarëve.

Natyrisht që për këtë gjendje duhet të merren në përgjegjësi akterët në Shqipëri.

Raporti, edhe pse vetëm pjesërisht është zbardhur, sigurisht që brenda ti, tregon se sa janë qelbur institucionet politike, partitë, mediat dhe madje edhe institucione akademike, përveç bizneseve, nëpërmjet të cilave është krijuar një rrymë e tërë kontaminuese apo siç shprehet vet kreu i SHISH-it Helidon Bendo, janë kthyer në kancer malinjë, pra që kalbëzon dhe shkretëron institucione.

Ato shërbimet inteligjente kanë krijuar sipas gjuhës mjekësore metastaza tumoresh: “Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të

inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik”, thuhet në raportin e dhënë para Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë.

SHISH-i konfirmon se është duke u zhvilluar një propagandë masive në Shqipëri, të cilat përfshijnë dezinformimin dhe ndikimin psikologjik, pra krijimin e një besimi të gabuar.

“Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jo konvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, citohet raporti i SHISH nga mediat në Shqipëri dhe më tej.

Por, nëse kjo gjendje tashmë është faktike, dhe që SHISH-i, siç kuptohet nga këto mesazhe nuk ka arritur që t’i kundërpërgjigjet me kohë, atëherë duhet të jap dorëheqje edhe vetë kreu i SHISH-it, por bazuar në këto raportime, dështimet duket se janë më të mëdhatë të qeverisjes, pra të institucioneve qendrore të shtetit.

Komprometimi i Ramës

Pra, sipas raportit rezulton se Qeveria nuk ka bërë asgjë për të penguar invazionin e shërbimeve inteligjente që kanë depërtuar në institucione, në politikëbërje, në media, në ekonomi, dhe thuaja në gjithë sistemin.

edi rama e vucici

Nëse është kështu atëherë, kryeministri i vendit Edi Rama duhet të jap dorëheqje ose të shkarkohet.

Qëndrimet e Ramës pro Serbisë, sot morën një goditje të fuqishme nga një grup senatorësh, të cilët e akuzuan këtë shtet për qëndrimet proruse, dhe njëherit duke ia bërë të qartë se ajo përfundimisht duhet të përcaktohet nëse do të mbetet me Rusinë apo me Perëndimin.

Kjo e bën të qartë se Rama duke e mbështetur dhe shfajësuar Serbinë për qëndrimet e saj proruse, është komprometuar vetë ai, por edhe Qeveria e Shqipërisë, duke rënë nën ndikimin e shërbimeve armiqësore të Shqipërisë, siç thekson edhe raporti i SHISH-it.

Gazeta Bota Sot, Prishtine