Shërbimi Sekret Britanik paralajmëron për rrezikun e një sulmi rus ndaj NATO-s

15 Dhjetor 2025
Britania e Madhe ndodhet tashmë në vijën e frontit kundër Rusisë dhe duhet të jetë e përgatitur që “eksporti i kaosit” nga Presidenti Putin të vazhdojë derisa ai të detyrohet të ndryshojë strategjinë e tij, paralajmëroi drejtuesja e MI6, Blaise Metreweli, në fjalimin e saj të parë publik që nga marrja e detyrës.
Metreweli, gruaja e parë dhe më e re që udhëheq shërbimin sekret britanik, tha se “vijë e frontit është kudo” për shkak të përdorimit nga Moska i luftës hibride, duke përfshirë dezinformimin, sabotazhin dhe sulmet kibernetike. Ajo paralajmëroi se Britania po përballet me një “epokë pasigurie” ndërsa rregullat e konfliktit po ri-shkruhen nga Rusia dhe aktorë të tjerë armiqësorë.
“Putin nuk duhet të ketë dyshime, mbështetja jonë është e qëndrueshme. Presioni që ushtrojmë për Ukrainën do të vazhdojë,” tha Metreweli, duke përshkruar Rusinë si “agresive, ekspansioniste dhe revisioniste”. Ajo theksoi se “eksporti i kaosit” është pjesë e strategjisë ruse për të krijuar paqëndrueshmëri ndërkombëtare dhe për të nxjerrë përfitime politike ose për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit.
Strategjia e Moskës përfshin, sipas analistëve, valë migrantesh, përdorimin e mercenarëve në konflikte jashtë vendit, sulme kibernetike, aktet e sabotazhit, manipulimin e informacionit dhe depërtimin e avionëve në hapësirën ajrore evropiane.
Sipas Metrewelit, konceptet tradicionale të vijës së frontit janë tejkaluar, dhe publiku britanik përjeton tashmë pasojat e këtij “eksporti kaotik”. Ajo shtoi se sfida kryesore e shekullit XXI nuk është thjesht kush zotëron teknologjitë më të fuqishme, por kush i përdor me mençuri, pasi siguria, prosperiteti dhe humanizmi varen nga kjo.
Ndërsa, Kryekomandanti i Forcave të Armatosura, Air Chief Marshal Sir Richard Knighton, në fjalimin e tij të parë vjetor në Royal United Services Institute, bëri thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë për të ndërtuar “reziliencën kombëtare” përballë kërcënimeve në rritje.
“Çmimi i paqes po rritet dhe ka një probabilitet më të madh që Rusia të sulmojë një vend të NATO-s. Lufta në Ukrainë tregon gatishmërinë e Putinit për të targetuar shtetet fqinje, përfshirë popullsitë civile, madje edhe me armë të reja dhe shkatërruese, që kërcënojnë të gjithë NATO-n, përfshirë Britaninë,” tha Knighton.
Fjalimet e Metrewelit dhe Knighton vijnë ndërsa liderët britanikë dhe evropianë, përfshirë Sir Keir Starmer, po zhvillojnë një samit emergjent në Berlin me Presidentin Zelensky dhe emisarë të SHBA, për të diskutuar një plan alternativ paqeje për Ukrainën.
Top Channel
