Shehaj: – Kryeministri sulmon drejtësinë, teksa pritet vendimi i GJK për Ballukun

4 Shkurt 2026
Agron Shehaj, ka dënuar publikisht ato që i ka cilësuar si sulme të kryeministrit Edi Rama ndaj sistemit të drejtësisë dhe SPAK, gjatë një konference për mediat të mbajtur nga Kryesia e Kuvendit.
Shehaj deklaroi se prokurorë dhe gjyqtarë janë duke u përballur me kërcënime serioze, përfshirë edhe kërcënime për jetën, ndërsa sipas tij, kryeministri Rama vijon me gjuhë denigruese dhe kërcënuese ndaj tyre. Ai e cilësoi këtë sjellje si të papranueshme dhe si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor.
Në deklaratën e tij, Shehaj u ndal edhe te Gjykata Kushtetuese, e cila sipas tij prej javësh ka shtyrë marrjen e një qëndrimi për çështjen që lidhet me Belinda Ballukun, e akuzuar për shpërdorim fondesh publike. Ai e cilësoi këtë vonesë si shqetësuese në kontekstin e presioneve politike ndaj drejtësisë.
Sipas kreut të Partisë Mundësia, sulmet ndaj SPAK dhe drejtësisë nuk vijnë vetëm nga kryeministri, por edhe nga ministra, deputetë të mazhorancës dhe media pranë qeverisë. Ai hodhi poshtë pretendimet se SPAK arreston zyrtarë pa gjyq, duke i cilësuar këto deklarata si shpifje që synojnë të minojnë punën e prokurorëve për të çuar para drejtësisë zyrtarët e lartë.
Shehaj u bëri thirrje ambasadorëve të vendeve perëndimore në Shqipëri dhe përfaqësuesve diplomatikë, përfshirë të ngarkuarën me punë të SHBA-së, që të vijojnë mbështetjen për drejtësinë dhe të reagojnë ndaj sulmeve politike ndaj saj.
Ai theksoi se qytetarët shqiptarë mbështesin luftën kundër korrupsionit dhe se nga suksesi i kësaj lufte varet e ardhmja e vendit. Në këtë kuadër, Shehaj njoftoi se janë mbledhur 50 mijë firma në mbështetje të drejtësisë, të cilat do t’i dërgohen Kongresit Amerikan, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve partnere.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin hapur në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, duke e cilësuar këtë si një detyrë qytetare për të ardhmen e Shqipërisë dhe të brezave të ardhshëm.
DEKLARATA
Jam këtu për të dënuar me forcë sulmet e përditshme të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë dhe SPAK-ut. Prokurorët dhe gjykatësit po përballen me kërcënime për jetën. Prokurorëve dhe gjykatësve po iu rrezikohet jeta. Në këto kushte Edi Rama vazhdon denigrimin ndaj tyre. Dënojmë gjuhën e tij linçuese, intimiduese dhe kërcënuese ndaj drejtësisë ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është mbledhur prej javësh dhe po shtyn vazhdimisht vendimin historik në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për pezullimin e zv.kryeministres Balluku e cila akuzohet se ka abuzuar me paratë e buxhetit të shtetit.
Edi Rama po kërkon të mbajë peng Gjykatën Kushtetuese dhe rrjedhimisht vendimin që do të ndajë njëherë e mirë të shkuarën e pandëshkueshmërisë nga e ardhmja, ku të korruptuarit dalin para drejtësisë. Sulmet po kryhen nga vetë Edi Rama, nga analistët dhe gazetarët pranë tij, nga ministra dhe deputetët e mazhorancës dhe nga krimi i organizuar.
Shpifjet e vazhdueshme në lidhje me akuzën e pavërtetë që prokuroria dhe gjykata arreston njerëz pa gjyq janë një kërcënim i hapur dhe direkt ndaj përpjekjeve të prokurorëve për të çuar para drejtësisë zyrtarët e lartë. Prokurorët përballen çdo ditë me kërcënime për jetën. Prokurorëve po iu rrezikohet jeta. Ndaj i bëjmë thirrje:
Ambasadorëve të vendeve perëndimore në Shqipëri; Të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së, Ambasadorit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadorit gjerman, Ambasadorit britanik, Ambasadori italian, Ambasadorit holandez dhe çdo përfaqësie diplomatike perëndimore në Shqipëri, të vazhdojnë të mbështesin drejtësinë dhe të bëjnë thirrje për ndalje të mënjëhershme të sulmeve ndaj drejtësisë, ndaj prokurorëve dhe ndaj gjykatësve që po luftojnë korrupsionin.
Shqiptarët mbështesin drejtësinë. Duan fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Nga mbështetja e luftës kundër korrupsionit varet e ardhmja e Shqipërisë. Ju bëj thirrje të mos heshtni. I bëj thirrje gjithashtu qytetarëve shqiptarë të dalin haptas në mbrojtje të drejtësisë, në mbrojtje të luftës kundër korrupsionit. Sic e dini, Partia Mundësia ka filluar një fushatë në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Deri sot kemi mbledhur pothuajse 50 mijë firma. Qëllimi ynë është të mbledhim 100 mijë firma dhe këto do të dorëzohen në Kongresin Amerikan, në Parlametin Europian dhe në parlamentet e vendeve partnere.
Ju ftoj të firmosni deklaratën tonë në mbrojtje të drejtësisë.
