10 Shtator 2025

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn, tha se SPAK është kthyer në një partner kyç të SHBA-së dhe institucioneve ndërkombëtare, ndërsa kërkoi integritet në përzgjedhjen e pasuesit e të Dumanit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë rikonfirmoi të mërkurën mbështetjen për SPAK, duke vlerësuar arritjet e institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa theksoi se procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit duhet të jetë i paanshëm dhe transparent.

Në fjalimin e saj gjatë konferencës së OSBE-së mbi “Lidhjen midis trafikimit të drogave të paligjshme dhe krimeve të dhunshme”, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn, vlerësoi kreun aktual të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, dhe tha se SPAK është kthyer në një partner kyç të SHBA-së dhe institucioneve ndërkombëtare.

“SPAK-u është aq efektiv sa pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht se me kë janë të lidhur. Edhe SPAK-u gjithashtu, sigurisht, i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, z. Dumani, sado efektiv, jashtëzakonisht efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet sepse mandati i tij ka përfunduar. Dhe procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme,” tha VanHorn.

Ajo vuri në dukje se hetimet e fundit kanë treguar se ky institucion është në gjendje të godasë grupe kriminale që operojnë nga Amerika e Jugut deri në Europë. Ajo përmendi operacionet e koordinuara mes SPAK dhe agjencive ndërkombëtare, ku janë sekuestruar tonelata droge me vlerë qindra milionë euro.

Duke iu referuar përfundimit të mandatit të kreut aktual të SPAK, Altin Dumani, VanHorn theksoi se zgjedhja e pasardhësit të tij do të jetë një provë e rëndësishme për integritetin e institucioneve shqiptare.

E Ngarkuara me Punë e SHBA paralajmëroi se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin me vëmendje procesin e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të institucioneve të drejtësisë.

“Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër,” përfundoi VanHorn./BIRN