Prof.asoc.Dr.  Marenglen Kasmi

10 Tetor 2022

Si sot 50 vite më parë, më 10 tetor 1972, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u krijua Akademia e Shkencave të Shqipërisë (ASh). Themelimi i saj ishte kurorëzimi i përpjekjeve shekullore për zhvillimin e akademizmit shqiptar.

Në Shqipëri fjala “Akademi” u përmend për herë të parë më 1750, kur në Voskopojë u krijua e ashtuquajtura “Akademia e Re”, që ishte një shkollë e mesme, por dhe një qendër kulturore e mirënjohur brenda dhe jashtë vendit. Ndonëse “Akademia e Re” nuk kishte ndërtimin dhe detyrat e Akademive të Shkencave në vende të tjera të Europës, ajo është pjesë e përpjekjes e ruajtjes së trashëgimisë dhe zhvillimeve kulturore të popullit shqiptar. Më pas, Rilindja Kombëtare me përpjekjet e saj për të zgjuar ndërgjegjen tonë kombëtare i dha një shtytje të madhe edhe përparimit të mendimit shkencor për çështje të historisë së popullit shqiptar, të traditave e të gjuhës së tij, për përhapjen e arsimit në gjuhën amtare, etj.

Akademizmi shqiptar do të merrte një formë më të zgjeruar pas Shpalljes së Pavarësisë në Nëntor 1912. Në shumë qytete u krijuan disa qendra kulture dhe klube që kryenin edhe funksione studimore. Këto përpjekje të para për të krijuar shtratin e shkencës shqiptare u shtuan dhe u bënë më të organizuara me konsolidimin e shtetit shqiptar, pas Kongresit të Lushnjës. U ngritën disa shërbime të veçanta që kryenin edhe ndonjë funksion studimor, si Shërbimi veterinar ose epidemiologjik (1928), ferma e Xhafzotajt e ndonjë tjetër. Edhe kërkues të huaj, si F. Nopça, H. Luis, F. Markgraf, A. Hajek, E. Durham, L. Rey etj., dhanë ndihmesën e tyre të çmuar për zhvillimin e studimeve shqiptare, duke çuar më tej traditën e studimeve albanologjike të shekullit XIX.

Kjo veprimtari shkencore nisi të marrë formën e vet më të plotë dhe të zhvillohej më tej gjatë viteve ‘30 – ’40, kur mjaft intelektualë, të shkolluar jashtë vendit, hodhën themelet e studimeve shqiptare si: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Bilal Golemi, Gjovalin Gjadri, Hasan Ceka etj.

Një përpjekje e parë për të organizuar veprimtarinë shkencore u bë më 1940 me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, në kushtet e pushtimit italian. Në të u përfshinë studiues shqiptarë dhe italianë, të gjuhës, letërsisë dhe të artit. Kryetar i parë i këtij Instituti ishte Ernest Koliqi dhe sekretar i përgjithshëm Zef Valentini, ndërsa ndër anëtarët kishte intelektualë të shquar si Aleksandër Xhuvani, Ekrem Vlora, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Lasgush Poradeci, Lazër Shantoja, Sotir Kolea, Vangjel Koça etj.

Më 1942 ky institut u quajt Instituti Mbretnuer Shqiptar dhe gjatë pushtimit gjerman u riorganizua dhe u quajt Instituti për Studime e Arte. Në këtë institucion u përfshinë intelektualë të tjerë të njohur të kohës, si: Ali Asllani, Arshi Pipa, Hamdi Sulçebe, Hasan Dosti, Krist Maloki, Kristo Floqi, Ndoc Nikaj, Mithat Frashëri, Odhise Paskali, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Vedat Kokona etj.

Menjëherë pas Çlirimit të vendit, u rimor ideja dhe u vazhdua ecja në po atë rrugë, deri në ngritjen e institucionit që u quajt Instituti i Studimeve, në vitin 1946. Më 1948 ai u riorganizua si Instituti i Shkencave dhe u bë vatër e kërkimeve dhe veprimtarive shkencore të organizuara. Krahas mjaft punonjësve nga instituti i paraluftës, u përfshinë shkallë-shkallë punonjës të rinj dhe u rrit numri i tyre. Drejtues i parë i këtij Instituti ishte Selahydin Toto. Njëra pas tjetrës filluan të hapen shkolla të larta në Shqipëri, çka u kurorëzua në vitin 1957 me themelimin e Universitetit të Tiranës.

Për të përballuar një problematikë gjithnjë e më të shtrirë, duke filluar nga fundi i viteve ’60 e më pas, u ngrit një rrjet institucionesh shkencore më të specializuara në fusha të veçanta. Deri në vitin 1972 në vendin tonë vepronin 25 institucione kërkimore-shkencore. Në këto kushte u bë e domosdoshme nevoja e ngritjes së Akademisë së Shkencave si një institucion kërkimor-shkencor kombëtar.

Themelimi i ASh

Më 10 tetor 1972, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u vendos krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 janar 1973. Profesor Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në fillimet e saj Akademia kishte 20 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespondentë; ajo funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si dhe të shkencave natyrore e teknike. Akademia e Shkencave përbënte institucionin më të lartë shkencor në vend dhe varej nga Këshilli i Ministrave. Organet drejtuese të Akademisë së Shkencave ishin Asambleja dhe Presidiumi. Sikurse edhe sot, Asambleja ishte organi më i lartë drejtues i ASh-së dhe përbëhej nga anëtarët dhe anëtarët korrespondentë. Ajo mund të kishte gjithashtu edhe anëtarë nderi dhe anëtarë të jashtëm.

Qysh prej krijimit të saj, ajo dha një ndihmesë të çmueshme në fusha të ndryshme të shkencës, në arsim e në kulturë. Ajo u krijua me bashkimin e katër instituteve të shkencave shoqërore (të historisë, të gjuhësisë e të letërsisë, të folklorit dhe të studimeve ekonomike) e të pesë instituteve e qendrave të shkencave natyrore teknike (i fizikës bërthamore, i matematikës llogaritëse, i hidrometeorologjisë, i sizmologjisë dhe Laboratori i kërkimeve hidraulike). Nga krijimi e deri në vitin 2007, kur ajo u shpërbë, në Akademinë e Shkencave u ngritën e funksionuan 15 institute e qendra kërkimore-shkencore.

Studimet shkencore të kryera nga institutet e Akademisë së Shkencave kanë zgjidhur një varg problemesh të rëndësishme të lidhura me njohjen e historisë e origjinës së gjuhës e kulturës së popullit shqiptar, me njohjen e natyrës e të pasurive natyrore të vendit, me futjen dhe përdorimin e metodave e të teknologjive të përparuara në prodhimin industrial e bujqësor, me përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit e të shëndetit të popullsisë etj.

U botuan një varg veprash shkencore themelore si Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Gramatika e gjuhës shqipe, Historia e popullit shqiptar, Historia e letërsisë shqiptare, Atlasi klimatik i Republikës së Shqipërisë, Flora e Shqipërisë, Rajonizimi sizmik i RPSSH (1:500000), Harta gjeologjike e Republikës së Shqipërisë (e re në shkallë 1:200000), Gjeografia fizike e Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar etj., si dhe janë kryer shumë veprimtari shkencore, kombëtare e ndërkombëtare për kërkim dhe zhvillim.

ASh në sistemin e ri demokratik

Në kuadrin e ndryshimeve demokratike në Shqipëri në fillim të viteve 1990 edhe Akademia e Shkencave iu nënshtrua ndryshimeve strukturore, ligjore dhe reformave të vazhdueshme. Sigurisht që kryerja e reformave ishte e domosdoshme, por fatkeqësisht ato nuk rezultuan pozitive për zhvillimin e shkencës në tërësi, ndonëse heqja e kufizimeve që ajo kishte përjetuar gjatë regjimit komunist duhej të kishte pasur një tjetër impakt për të.

Në vitin 1994, me ligjin nr. 7893 “Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik”, u sanksionua se statuti i Akademisë së Shkencave miratohej nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Asambleja e saj, çka ishte një humbje e qartë e lirisë akademike. Për shumë vite me radhë qeveritë e tranzicionit në Shqipëri e konsideronin Akademinë e Shkencave si “një trashëgim të sistemit të kaluar”, duke mos marrë në konsideratë asnjë arritje të saj, çka u shpreh në largimet e punonjësve shkencorë nga puna si për arsye politike por edhe personale, pezullimin e veprimtarisë së Asamblesë e deri në emërime politike.

Pas njëfarë stabilizimi të veprimtarisë shkencore dhe administrative të ASh në periudhën 1998-2005 pas miratimit të ligjit të ri funksional të ASh në vitin 1998, në vitin 2007 Akademia do të përfshihej në vorbullën e një reforme rrënjësore të ndërmarrë nga qeveria. Motoja e kësaj reforme ishte “krijimi i një sistemi unik të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në Shqipëri”. Vitet 2007-2008 janë ndër vitet më të vështira që ka kaluar Akademia e Shkencave qysh prej themelimit të saj.

Me pretekstin e reformimit të Akademisë, praktikisht u vendos shuarja graduale e saj.
Qeveria e asokohe ngriti me ligj një Komitet të Reformimit të Akademisë, i cili drejtohej nga Zëvendëskryeministri. Sa më sipër, bazuar në propozimet e një grupi ekspertësh të përzgjedhur nga qeveria shqiptare, ku nuk bënte pjesë asnjë anëtar i asamblesë së ASh-së, u bënë ndryshime ligjore për integrimin institucional dhe administrativ të instituteve jashtë-universitare të kërkimit shkencor në sistemin e arsimit të lartë.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve, Akademisë së Shkencave ju hoqën nga struktura 15 institutet dhe qendrat e saj kërkimore shkencore, duke e zhveshur atë nga kërkimi shkencor dhe duke i lënë kësisoj Akademisë së Shkencave vetëm një rol honorifik, pa veprimtari aktive në kërkimin shkencor. Argumenti i qeverisë së asokohe dhe grupit të saj të ekspertëve ishte se Akademia, me institutet e saj, përfaqësonte një model të dështuar të tipit sovjetik. Sigurisht që ky pretendim nuk qëndronte dhe nuk e kishte mbështetjen e asamblesë e të vetë instituteve, pasi një model i tillë funksiononte me sukses edhe në vende perëndimore.

Në kushtet që institutet dhe qendrat kërkimore u larguan nga Akademia e Shkencave, ajo e kishte të vështirë të realizonte misionin e saj si promotore e shkencës shqiptare. Po ashtu, akademikët me moshë mbi 75 vjeç humbën të drejtën e votës dhe nuk ishin më pjesë e Asamblesë. Në këto kushte, qeveria caktoi një Komision për realizimin e vendimeve të saj në Akademinë e Shkencave dhe në shkurt 2008 emëroi një kryesi të përkohshme, e cila duhej të organizonte transferimin e instituteve dhe të përgatiste anëtarësimet e reja.

Për plotësimin e vendeve vakante në Asamblenë e Akademisë, me Vendim të Këshillit të Ministrave të RSH-së, në mars 2008, u ngrit një Komision Përzgjedhës i përbërë prej 4 akademikësh nga vendi dhe 5 ndërkombëtarë, i cili përcaktoi dhe i propozoi Komitetit të Reformimit të ASh-së shpërndarjen e vendeve vakante, sipas fushave të shkencës dhe kriteret, që duhet të plotësonin kandidatët për këto vende. Brenda një periudhe 3-mujore, u përzgjodhën në këtë mënyrë 20 akademikë të rinj.

Në shkurt të vitit 2009, asambleja e plotësuar zgjodhi kryesinë e re: kryetar Gudar Beqiraj, zëvendëskryetar Myzafer Korkuti dhe sekretar shkencor Salvatore Bushati.

Me largimin e instituteve kërkimore-shkencore nga sistemi i Akademisë së Shkencave, numri i përgjithshëm i punonjësve të Akademisë së Shkencave u reduktua nga 618 në 31 punonjës, nga të cilët vetëm 9 ishin me tituj shkencorë e akademikë, ndërkohë që deri para reformës ishin 274 të tillë.

Akademia e Shkencave dhe reforma ligjore e vitit 2019

Përvoja disa vjeçare pas ndryshimeve të viteve 2007- 2018 tregoi se ASh duhej të ndërmerrte një reformim të sajin sipas veprimit të vetë Asamblesë, komisioneve shkencore e në konsultë me partnerët ndërkombëtarë. Pas një diskutimi gjithëpërfshirës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2019 ligjin e ri për Akademinë e Shkencave.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për shkencën, më 24 maj 2019 Asambleja e ASh-së zgjodhi kryesinë e re të përbërë nga Skënder Gjinushi kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Vasil S. Tole zëvendëskryetar dhe sekretar shkencor Salvatore Bushati, i cili në Tetor 2019 ndërroi jetë dhe u zëvendësua nga Shaban Sinani.
Në bazë të ligjit të ri, Asambleja përbëhet përsëri nga akademikë dhe akademikë të asociuar, ku numri i akademikëve është deri në 30, ndërsa numri i akademikëve të asociuar është deri në 10, por me ndryshimin se këtu nuk përfshihen akademikët mbi 75 vjeç, të cilët fitojnë statusin Emeritus.

Disa prej ndryshimeve kryesore në këtë ligj janë edhe përfshirja për herë të parë e statusit të anëtarit të jashtëm, që zgjidhet ndër shkencëtarët me origjinë a shtetësi shqiptare, që punojnë jashtë vendit si edhe krijimit të strukturave ndihmëse pranë saj, të komisioneve sipas fushave a grupfushave të përafërta e të njësive të kërkim-studimit. Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, sot pranë Akademisë funksionojnë 9 komisione të përhershme dhe 7 njësi kërkimore-studimore.

Në këto komisione bëjnë pjesë 138 anëtarë, nga të cilët 53 akademikë dhe 83 profesorë e doktorë shkencash nga universitetet e institutet shkencore të vendit. Kjo përbën një hapje të shumanshme të Akademisë ndaj komunitetit shkencor dhe mundëson lidhje të frytshme të saj me IAL-të dhe institutet kërkimore.

Me këto ndryshime, statusi i Akademisë së Shkencave u riafirmua jo vetëm në aspektin juridik, por dhe në atë intelektual e moral. Misioni i saj i ripërcaktuar, si institucioni më i rëndësishëm në vend për koordinim, monitorim, ekspertizë e organizim të veprimtarisë shkencore, mundësoi ringritjen e saj në lartësinë që i përcakton ligji. Politika e hapjes ndaj qendrave dhe institucioneve kërkimore-shkencore dhe atyre universitare solli ndryshime cilësore në veprimtarinë e saj. Akademia e Shkencave provoi se mund të luante rol të rëndësishëm në krye të sistemit shkencor të vendit dhe në bashkëpunimin shkencor mbarëkombëtar.

Një marrëdhënie e re u krijua midis brezave të studiuesve, në favor të përtëritjes dhe të rregullimit pozitiv ndërgjinor. Me ringritjen e komiteteve shkencore kombëtare të përfaqësimit të vendit në organizata e institucione shkencore rajonale e ndërkombëtare, si AIESEE, Euralex, ALLEA si dhe me rritjen e pranisë së saj në komitetin vendës të UNESCO-s, Akademia e Shkencave fitoi një rol të merituar që kishte mbërritur deri në shuarje, edhe në aspektin ndërkombëtar.

Prej vitit 2019, ASh ka zhvilluar rreth 300 aktivitete, ku kanë marrë pjesë disa mijëra specialistë të gjithë fushave. Vetëm gjatë vitit 2021, në ASh ka pasur mbi 1500 kumtues, nga të cilët rreth 650 të huaj. Këto kanë bërë që Akademia të kthehet në një qendër primare të debatit shkencor në vend. Gjatë 2-3 viteve të fundit, ASh-ja ka botuar dhjetëra studime shkencore. Siç dihet, Akademia mbështet botimin e një numri veprash në bazë të vetë kërkesave që vijnë nga akademikë e studiues të ndryshëm, bazuar në kriteret e vendosura në rregulloren e re të saj, ku u jepet përparësi botimeve me ndikim kombëtar, kryesisht nga fushat e albanologjisë, me autorë akademikë a profesorë të mirënjohur, por edhe studiues të rinj në raste të veçanta.

Politika botuese është në fakt një sponsorizim që Akademia bën për shkencën, studimet e kërkimet shkencore. Veprat përfaqësuese të botuara deri më sot (rreth 700 tituj) nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, mbeten pika referimi të sigurta dhe maten me nivele të përparuara të rajonit e të kontinentit për çështje thelbësore dhe kyçe të historisë, gjuhës, traditës dhe, në përgjithësi, të kulturës sonë kombëtare. Po ashtu, u normalizua përfundimisht dalja me periodicitet të rregullt e dy revistave, tribuna shkencore të Akademisë së Shkencave.

Akademia e Shkencave në bashkëpunim me institucione të tjera si Akademia e Studimeve Albanologjike e Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, po punon për hartimin e tri projekteve madhore në albanologji: Historia e shqiptarëve, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipes dhe Enciklopedia Shqiptare. Hartimi dhe botimi i këtyre veprave madhore shkencore do t’i ofrojnë botës akademike dhe mbarë publikut shqiptar tri vepra shkencore të rëndësishme, publikimi i të cilave është shtruar si nevojë me kohë për botën akademike. Në themelin e këtyre botimeve madhore të Akademisë së Shkencave do të jenë standarde të bazuara mbi kritere të mirëfillta shkencore, ku do të pasqyrohen gjetjet dhe prurjet më të reja në lëmin e albanologjisë.

***

Viti 2021 shënoi mbylljen e fazës së parë të reformës, atë të rifreskimit të Asamblesë e të ristrukturimit të vetë Akademisë si institucion. Faza e dytë ka për qëllim ripozicionimin e Akademisë së Shkencave në sistemin tonë kërkimor shkencor, përcaktimin qartë të rolit të saj në të si dhe të raporteve me institucionet e tjera, nëpërmjet kthimit në një institucion me rol aktiv e koordinues dhe jo thjesht honorifik në kërkimin shkencor. Prioritet kryesor në vazhdim mbetet realizimi gradual i fazës së dytë të reformës së Akademisë së Shkencave, e cila kurorëzohet me ringritjen dhe funksionimin pranë Akademisë të instituteve të albanologjisë.

Misioni kryesor i ASh është zhvillimi me përparësi i shkencave albanologjike, në të cilat shkenca jonë, dhe në këtë dije duhet të jetë paraprijëse e përcaktuese. Vetë krijimi i ASh kishte këtë si motiv e synim kryesor, rol të cilin ajo e kreu me shumë sukses. Janë rezultatet e instituteve të Akademisë e të anëtarëve të saj që bënë që albanologjia të kthehej në shtëpinë e vet, – siç shprehej Çabej, dhe këtë arritje ajo duhet ta forcojë sot e në të ardhmen. Pikërisht për këtë qëllim, Asambleja e ASh-së mbështet projektin e ringritjes së instituteve të albanologjisë pranë saj.

Gazeta Dita