Publikohen skicat e rralla: Këto ishin sarajet e Ali Pashës në kulmin e shkëlqimit të tyre. Kush ishte arkitekti shqiptar që ndërtoi qendrën e Janinës

Skicat dhe shumë dokumente rreth pashallëkut të Janinës ruhen në arkivin e Ali Pashës në Athinë. Këto dy skica të rralla të dala prej aty na dëshmojnë imazhin real të sarajeve të Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe në Tepelenë.

Rreth sarajeve të Aliut në Janinë qarkullojnë disa imazhe fiksuar në periudha të ndryshme historike, por në këtë skicë dëshmohet periudha kur qendra e Janinës me gjithë ndërtimet e kryearkitektit Petro, ishin në kulmin e shkëlqimit të tyre.

Për mbiemrin e kryearkitektit Petro ka dy versione. Ai njihej si Petro Vithkuqari, por edhe si Petro Korçari

Kjo sepse për origjinën e arkitektit të famshëm kanë ekzistuar dy teza. Sipas Dhimitër Shuteriqit, Petro ishte me origjinë nga Korça ndaj e quajtën edhe Petro Korçari. Por dokumentat nga arkivi i Ali Pashës, zbulojnë se origjina e tij ishte nga Vithkuqi

Një dokument prezanton një lutje drejtuar nga banorët e Vithkuqit për Ali Pashë Tepelenën, ku përmendin shtëpinë e lindjes në Vithkuq të arkitektit Petro, e cila sikurse gjithë shtëpitë e një mëhalle të tërë, kishte rënë pre e bastisjeve të Bylikbashit të ri që ishte emëruar në atë kohë dhe të tjerë agresorë që e ndiqnin atë.

Ndërsa i rrëfejnë Ali Pashës mbi barbarizmat e bëra në fshat, ata i përmendin disa herë kryemjeshtrin e tij Petron që kishte shtëpinë në Vithkuq dhe disa kushërinj.

Ndërsa sarajet e Tepelenës ishin ndërtuar prej usta Themelit, nga Marjani i Korçës.

Dokumentet zbulojnë detaje edhe rreth usta Themelit. Një dokument shkruan se ai kishtë bërë restaurimin e sarajeve të Tepelenës në vitet 1808 -1809.

“…Usta Themëli ka punuar nga 12 Tetori 1808 gjer më 15 Korrik 1809, për rikonstruksionin tërësor të sarajeve të Pashit, në Tepelenë…”, shkruhet në dokument, raporton tesheshi.com.

O.J/DITA