2 Shtator 2025

Gjatë samitit të nivelit të lartë të mbajtur në qytetin Tianxhin të Kinës dhe organizuar nga Pekini, presidenti rus Vladimir Putin mbrojti sërish agresionin e Moskës ndaj Ukrainës, duke akuzuar Perëndimin për nxitjen e konfliktit.

“Kjo krizë nuk filloi nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, por është rezultat i një grushti shteti në Ukrainë, i mbështetur dhe i nxitur nga Perëndimi”, deklaroi Putin gjatë punimeve të Samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO).

Me këtë deklaratë, presidenti rus iu referua ngjarjeve të vitit 2014 dhe protestave të lëvizjes pro-evropiane të Majdanit në Ukrainë, të cilat çuan në largimin nga pushteti të presidentit pro-rus të vendit.

Pas këtyre zhvillimeve, Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë dhe nisi mbështetjen për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, duke ndezur luftën civile që vazhdon ende sot.

Putin e cilësoi gjithashtu si shkak të dytë të krizës “përpjekjet e vazhdueshme të Perëndimit për të tërhequr Ukrainën drejt NATO-s”, duke aluduar për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj interesave të sigurisë ruse.

Ai bëri këto komente përpara aleatëve të tij më të ngushtë strategjikë: presidentit të Kinës Xi Jinping, kryeministrit të Indisë Narendra Modi dhe presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkian.

“Vlerësojmë përpjekjet dhe propozimet e Kinës, Indisë dhe partnerëve tanë të tjerë strategjikë që synojnë të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës në Ukrainë”, theksoi Putin.

Presidenti rus tha gjithashtu se marrëveshjet e arritura gjatë samitit të gushtit me presidentin amerikan Donald Trump “hapin rrugën për një zgjidhje të mundshme të krizës në Ukrainë”.

“Dua të theksoj gjithashtu se mirëkuptimi i arritur gjatë takimit të fundit Rusi-SHBA në Alaskë, shpresoj të ndihmojë në këtë drejtim”, shtoi ai.

Sipas Putinit, ai ka informuar që ditën e dielë presidentin kinez Xi për ecurinë e bisedimeve me Trump dhe për “punën që tashmë ka nisur” në kuadër të përpjekjeve për një zgjidhje. Ai shtoi se do të ndajë më shumë detaje gjatë takimeve bilaterale me liderin kinez dhe të tjerë.

“Që zgjidhja për Ukrainën të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë, duhet të trajtohen shkaqet rrënjësore të krizës,” nënvizoi ai.

Organizata për Bashkëpunim të Shangait, e udhëhequr nga Kina dhe Rusia, promovohet nga këto vende si një alternativë strategjike dhe politike ndaj NATO-s dhe ndikimit perëndimor në Euroazi.

Në margjinat e samitit, Putin pritet të zhvillojë takime dypalëshe me presidentët e Turqisë dhe Iranit, si edhe me kryeministrin indian. Ndërsa një takim i rëndësishëm midis presidentit kinez Xi Jinping dhe Vladimir Putinit është planifikuar për nesër, të martën, në Pekin.