Sa afganë kanë mbetur në Shqipëri? – A ka ikur ndonjë në SHBA 6 muaj pas ardhjes?

– 20.02.22

Nga shtetasit afganë që mbërritën në Shqipëri pak muaj më parë, nuk është larguar asnjë drejt SHBA-së apo vendeve të tjera të Europës.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre. Duke ju përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talebanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra, për të folur më pas për të paktën 4 mijë afganë.

Gjashtë muaj më parë, përkatësisht më 27 gusht 2021, në vendin tonë, mbërritën me bujë të madhe shtetasit e parë afganë, në kuadër të strehimit të tyre përkohësisht në Shqipëri. Grupi i parë që mbërriti në Aeroportin e Rinasit ishin 121 persona, aktivistë të shoqërisë civile, mes tyre dhe fëmijë si dhe 11 foshnja, të nisur nga Kabuli.

Pas mbërritjes në Rinas, grupi i qytetarëve afganë qëndroi fillimisht në tendat e ngritura posaçërisht pranë aeroportit ushtarak, ku atyre iu ofrua dhe asistenca e parë mjekësore, ndërsa kryen dhe formalitetet burokratike, për t’iu drejtuar më pas strukturave hoteliere në qytetin e Durrësit ku ata po qëndrojnë prej disa muajsh tanimë.

Por, si paraqitet gjendja sot, gjashtë muaj pas mbërritjes së grupit të parë me afganë në Shqipëri, nga vendimi i qeverisë tek strehimi i tyre dhe përshtatja me vendin tonë?

AFGANË TË LARGUAR DREJT SHBA VETËM NGA KOSOVA, NGA SHQIPËRIA ASNJË:

Deri më tani, të vetmit shtetas afganë të larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë disa të cilët strehoheshin në Kosovë, ku në total qeveria vendase ka strehuar 1900 shtetas afganë, të cilët u larguan nga vendi i tyre, pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit.

Ndërkohë, nga shtetasit afganë që mbërritën në Shqipëri pak muaj më parë, nuk është larguar asnjë drejt SHBA-së apo vendeve të tjera të Europës.

VENDIMI I QEVERISË SHQIPTARE PËR MARRJEN E AFGANËVE:

Sipas një vendimi të miratuar në muajin gusht të vitit të kaluar nga Qeveria shqiptare, i hapi rrugë qytetarëve afganë për t’u pajisur me statusin e “mbrojtjes së përkohshme”.

Referuar vendimit në fjalë, ata nuk do të trajtohen me statusin e azilantit, por atyre do t’u ofrohet mbrojtje e përkohshme, ndërsa mbrojtja fillon nga momenti që vijnë në hapësirën shqiptare dhe do të zgjas një vit.

Ndërkohë, deri në fund të vitit të kaluar, në vendin tonë mbërritën edhe disa avionë të tjerë më shtetas nga Afganistani, për ta çuar në mbi 2 mijë numrin e personave nga kjo zonë, të cilët pritet të strehohen në Shqipëri, përkohësisht.

AFGANËT NË SHQIPËRI, SHPRESË PËR NJË JETË TË RE:

Qytetarët afganë që janë strehuar në Shqipëri me kërkesë të SHBA dhe vendim të qeverisë shqiptare, pas largimit të amerikanëve nga Afganistani dhe marrjes se pushtetit nga talebanët, janë strehuar në zona rezidenciale në Durrës dhe Shëngjin.

Në pritje për të marrë një vizë për në Shtetet e Bashkuara apo Kanada ata kanë bindjen se kohë më të mira do të vijnë, ndërsa shprehen se nga Shqipëria nuk është e lehtë të shkosh në SHBA, por shikojnë si mundësi më të mirë Kanadanë.

Shumë prej tyre kanë patur pozicione drejtuese në qeverinë e rrëzuar në Afganistan dhe mjaft të tjerë kanë profesione të ndryshme si, artist, shkencëtar, profesorë, mjekë, përfaqësues të sistemit të drejtësisë etj. Rreth 400 refugjatë afganë janë vendosur në Shëngjin. Pasiguria dhe frika e hakmarrjes së talebanëve, ndaj familjarëve të mbetur në Afganistan, i shoqëron gjatë gjithë kohës.

QYTETARËT PRO DHE KUNDËR:

Menjëherë pas mbërritjes së afganëve të parë në vendin tonë dhe strehimit të tyre në Durrës dhe në disa prej konvikteve të Qytet Studentit, të shumtë ishin qytetarët, të cilët ishin kundër kësaj gjëje, por kishte edhe të tjerë të cilët ishin pro.

Këta të fundit janë shprehur se Shqipëria si anëtare e NATO-s e ka për detyrë të ndihmojë aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, nga ana e tyre, skeptikët shprehen se ardhja e afganëve në vend mund të rrisë rrezikun e vendasve dhe të ulë sigurinë publike.

Aktualisht është e paqartë se cilët afganë do të arrijnë destinacionin e tyre dhe kur. Procesi i verifikimit për SHBA nuk ka filluar ende. SHBA aktualisht po sigurojnë që mijëra refugjatë afganë të vendosen në të ashtuquajturat “vende transit” në Ballkan: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pjesa tjetër do të jetë politikë, që do të luhet brenda rajonit të Ballkanit.

Gazeta Shqiptare