“Rusia ka planifikuar luftën më të madhe në Europë që nga 1945”, intervista e Johnson në BBC: “Gjitha provat aty na çojnë”

20 Shkurt 2022

“Rusia ka planifikuar luftën më të madhe në Europë që nga 1945”, intervista e Johnson në BBC: “Gjitha provat aty na çojnë”

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Rusia po planifikon “luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945” dhe këtë sipas tij “janë të gjitha provat që e sugjerojnë”.

Në një intervistë për BBC, Johnson tha se Rusia synon të rrethojë Kievin, ndërsa shtoi se kostot njerëzore në rast lufte do të jetë e madhe.

“Të gjitha shenjat janë se plani tashmë në disa kuptime ka filluar. Inteligjenca tregon se Rusia synon të nisë një pushtim që do të rrethojë kryeqytetin ukrainas Kiev. Njerëzit duhet të kuptojnë koston e madhe në jetën njerëzore që mund të sjellë”, tha Johnson nga Mynihu, ku liderët botërorë po takohen për një konferencë vjetore të sigurisë.

Në rast lufte tha Johnson, Britani do të rriste sanksionet ndaj Rusisë “duke i bërë më të ashpra nga sa ishin sugjeruar më parë”.

Kryeministri tha se presidenti i SHBA Joe Biden u kishte thënë udhëheqësve perëndimorë të inteligjencës se forcat ruse nuk po planifikonin vetëm të hynin në Ukrainë nga lindja, nëpërmjet Donbasit, por nga Bjellorusia dhe zona përreth Kievit.

“Kam frikë të them se plani që ne po shohim është për diçka që mund të jetë me të vërtetë lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945 vetëm për sa i përket shkallës”, tha kryeministri.

Njerëzit duhet të konsiderojnë jo vetëm humbjen e mundshme të jetës së ukrainasve, por edhe të “rusëve të rinj”, shtoi ai.

Vlerësimet më të fundit nga qeveria amerikane thonë se janë rreth 200 mijë trupa ruse të vendosur përgjatë kufirit të Ukrainës, si në Rusi ashtu edhe në Bjellorusinë fqinje.

Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar javët e fundit se Rusia mund të përgatitet për të pushtuar në çdo kohë, por Rusia i ka mohuar pretendimet, duke thënë se trupat po kryejnë stërvitje ushtarake në rajon.

Për situatën e rënduar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje të shtunën Presidentit rus Vladimir Putin për një takim dhe për përpjekje për një zgjidhje të krizës, por nuk ka asnjë përgjigje nga Kremlini.

Gazeta Dita