Ruajtja e trashëgimisë kulturore arbëreshe dhe politikat arsimore dhe gjuhësore në Kuvendin e Studimeve Arbëreshe

21 Tetor 2025
Nga Julia Vrapi
Ruajtja e trashëgimisë kulturore arbëreshe apo dhe politikat arsimore dhe gjuhësore mblodhën studiuesit në Tiranë. Kuvendi III i Studimeve Arbëreshe përbën një ngjarje të rëndësishme studimore, që zhvillohet çdo dy vjet, ku në këtë kuvend në Tiranë studiues e më gjerë ngritën shqetësimin se gjuha arbëreshe e trashëguar nga brezi në brez, në komunitetet që jetojnë në zona të ndryshme të Italisë, ndodhet nën një kërcënim të vazhdueshëm. Por sa i takon rrezikut të gjuhës arbëreshe, drejtoresha e Qendrës së Studimeve për Arbëreshët Diana Kastrati solli në vëmendje dhe problemet ligjore. “Ekziston ligji për 11 pakicat e tjera gjuhësore historike, që ndodhen në Itali. Ky ligj funksionon më së miri, por për arbëreshët nuk funksionon, dhe ka shumë arsye”, u shpreh drejtoresha Kastrati në fjalën e saj gjatë Kuvendit të tretë të Studimeve Arbëreshe në Tiranë. Ndër të tjera në fjalën e saj drejtoresha Kastrati tha se QSPA për këtë problem po punon për të ndikuar në politikat lokale dhe kombëtare italiane. Kuvendi III i Studimeve Arbëreshe organizuar nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), këtë vit përkoi edhe me 5-vjetorin e themelimit të kësaj qendre. Kuvendi III i Studimeve Arbëreshe çeli dje punimet në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku ndër të pranishmit prof. Emil Lafe në fjalën e tij parashtroi historikun e themelimit të QSPA-së, ndërsa theksoi dhe kontributin e letërsisë dhe gjuhësisë arbëreshe në letërsinë shqiptare.
Roli i institucioneve në ruajtjen e kulturës arbëreshe
Kuvendi III i Studimeve Arbëreshe, i cili mbahet çdo dy vjet këtë vit u zhvillua më 30 tetor dhe tema qëndrore e tij ishte “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë-vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”. I pranishëm në këtë kuvend Damiano Guagliardi, President i FAA-së theksoi nevojën dhe rëndësinë e punës së qeverisë dhe institucioneve shqiptare në ruajtjen e arbërishtes dhe kulturës arbëreshe, ndërsa Fernanda Pugliese, aktiviste e çështjes arbëreshe theksoi nevojën për ruajtjen e arbërishtes dhe identitetin italo-shqiptar që mbart çdo arbëresh i Italisë. Ajo renditi kontribues dhe dashamirës të çështjes arbëreshe shqiptarë në dy anët e Adriatikut. Rossella Blandi, avokate dhe aktiviste e çështjes arbëreshe nga San Benedetto Ullano theksoi në fjalën e saj shtyllat e ruajtjes së trashëgimisë arbëreshe që janë gjuha, ritet dhe kujtesa e a komuniteteve arbëreshe, ndërsa Demetrio Crucitti shprehu rëndësinë e transmetimit të arbërishtes në rajonet ku janë të ngulitur arbëreshët e Italisë. Viti 2023 sipas tij, një vit i rëndësishëm i një bashkëpunimi shumëpalësh për arritjet e tanishme në fushën e transmetimit të arbërishtes në rajonin e Italisë. Në Kuvendin III të Studimeve Arbëreshe në Tiranë dr. Dorina Arapi, mbajti kumtesën me titull: “Nga diasporë historike në quasi-diasporë”: Arbëreshët dje dhe sot”, ndërsa dr. Silvana Nini, pranë Institutit të Antropologjisë mbajti kumtesën me titull: “Rikrijimi i Atdheut: Identiteti dhe Kufijtë në Katundet Arbëreshe”. Kumtesat që u mbajtën në përmbyllje të Kuvendit III të Studimeve Arbëreshe u shoqëruan me pyetje dhe diskutime mes të pranishmëve.
Një ekspozitë dokumentare
Në kuadër të Kuvendit të III-të të Studimeve Arbëreshe, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët hapi një ekspozitë dokumentare, mbi nismat e shtetit shqiptar në lidhje me figurat e shquara të këtij komuniteti, me angazhim të spikatur në çështjen kombëtare. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) dhe mes dokumenteve të përzgjedhura në ekspozitën e paraqitur nga DPA-ja, bënin pjesë: Kërkesë e Eqrem Çabej mbi financimin e një vizite studimore në vendbanimet arbëreshe në vitin 1935; Dekorata të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhënë personaliteteve arbëreshe; Relacione mbi vizitat studimore të studiuesve të Akademisë së Shkencave në vendbanimet arbëreshe; Informacione dhe relacione mbi kurset njëmujore të gjuhës shqipe të çelura për arbëreshët; Informacione mbi vizitat e nxënësve të shkollave të mesme, studentëve të universitetit në Shqipëri, etj.
