Sejdi-Gashi-Areali

Rreth studimit monografik “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë”. –

Studimi monografik “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” i autorit Dr. Sejdi Gashi, vlerë e re për gjuhësinë shqiptare (Botoi: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2018, f. 332.)

Prof.dr. Mustafa Ibrahimi, Shkup

Monografia me titull Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë e autorit Dr. Sejdi Gashi, në plan të parë, është një vazhdimësi e kërkimeve prej dekadash në studimet dialektologjike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), të cilat kanë filluar në vitet ’60. Studimet e kësaj natyre kanë filluar shumë më herët edhe në kolonitë e vjetra ndër arbëreshët e Italisë e të Greqisë dhe vazhdojnë të studiohen e rivlerësohen ende me metodat më bashkëkohore shkencore.

Dalja në dritë e veprës së Dr. Sejdi Gashit, Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë zgjeron edhe më tej studimet e dialektologjisë shqiptare. Studimi për të folmen e Istogut vjen pasi autori kishte bërë shumë studime që kur ishte student dhe më vonë duke botuar me dhjetëra artikuj nëpër gazeta dhe revista shkencore, në të cilët janë trajtuar dukuri dialektore për të folmen e kësaj krahine.

Autori Gashi kërkimet e tij në fushë të dialektologjisë i bashkon sa me ruajtjen e traditës së kërkimeve dialektore në Kosovë, aq edhe me metodat bashkëkohore të traditës së kërkimeve dialektore, duke sjellur analiza dhe përshkrime deskriptive të përmasës fonetike dhe morfologjike, të fjalë¬formimit, si dhe me strukturën e formimeve sintaksore.