Rinovimet në akropolin e Athinës. – Ka edhe reagime e kritika.

Është në krye të listës së monumenteve që duhet vizituar. Por gjatë pandemisë, numri i turistëve u kishte rënë dukshëm.

Kështu autoritetet menaxhuese të Akropolit të Athinës, kanë shfrytëzuar periudhën e qetë gjatë mungesës së turistëve, për të rinovuar disa pjesë vitale të këtij monumenti.

Punimet kanë filluar me çimentimin e një pjesë të podiumit në anën perëndimore të Akropolit, ku më vonë pritet të vendoset një pllakë mermeri romake.

Përveç kësaj është ndërtuar një platformë për personat që lëvizin me karrocë, ndërsa një pjesë e rrugicave të dëmtuara që ishin të bëra nga betoni, janë shtruar me gurë artificial e të lëmuar që ngjasojnë me ata të shekullit të 5-të.

“Që kur filluam dy vjet më parë, ne përcaktuam një gjë shumë të thjeshtë: Imazhi i kështjellës është imazh i shtetit tonë. Kështu që ne duhet ti tregojmë botës imazhin më të mirë të saj. Kjo pra është ajo çfarë po synojmë”, deklaroi Lina Mendoni, ministre e kulturës e Greqisë.

Pas këtij investimi pati kritika se në shtegun e shtruar në oborr prej 500 metrash gjatësi dhe 4 metra gjerësi, është ekzagjeruar me përdorim të tepërt të

betonit.

Ministria e kulturës u arsyetua se ky shteg i ecjes ishte rregulluar në vitin 1960 por ishte tejet e dëmtuar tashmë saqë rrezikonte këmbësorët.

“Ideja jonë ishte ta bënim monumentin, një simbol të civilizimit perëndimor. Të arritshëm për të gjithë, përfshirë edhe personat që kanë nevoja të veçanta”, tha ministrja greke.

Akropoli, monument i mbrojtur nga UNESCO, është zona arkeologjike më e vizituar në Greqi.

Në vitin 2018, mirëpriti më shumë se 3 milion vizitorë. Renovimi u bë me dakordimin e restauruesit shumëvjeçar të Akropolit Manolis Korres, presidentit të komitetit për konservimin e monumenteve greke dhe nga këshilli qendror arkeologjik.

“Në mes të katastrofës, pa vizitorë dhe pa turistë, një gjë e mirë u mundësua, rregullimi i këtij shtegu”, ka thënë Korres.

Renovimet ishin kryer brenda 5 muajve të izolimit total të Greqisë.

Për vizitorët nuk ka asnjë problem që është ndërhyrë në renovim. “Nuk mendoj se ka prishur diçka”, thotë Ryan Kirk, turist nga Ohajo.

Një turist nga Lituania, thotë se mund ta marrë me mend sa i dëmtuar ka qenë shtegu i ecjes.

“Me sa po shoh, gurët këtu janë tejet të rrëshqitshëm, dhe nëse është duke rënë shi, kjo mund të bëjë ecjen shumë stresuese”, tha ai.

Akropoli është ndërtuar 6 mijë vjet më herët, në periudhën mikenase 5 shekuj para Krishtit.

Deri në fillim të shekullit 19, Akropoli shërbeu si fortesë.

Gazeta Koha.Net, Prishtine