Kristaq Kume

4 Gusht 2022
Nga: MARIGLEN KUME
Projektvendimi i përgatitur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për procedurën e regjistrimit si votues jashtë vendit, sipas ekspertit zgjedhor Kristaq Kume, është një hap i mirë, por që ka nevojë për disa pjesë të tjera të pazëllit që të finalizohet.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti zgjedhor Kristaq Kume shprehet se për shkak të situatës politike, Celibashi ka lënë në draftin e tij të padefinuar plotësisht mënyrën se si do bëhet identifikimi biometrik i zgjedhësve jashtë vendit.

Ndërkohë, Kume solli në vëmendje se ndonëse Celibashi po përmbush detyrat e tij, Kuvendi nuk po e bën një gjë të tillë. Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur vetëm një herë për konstituim dhe nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje tjetër për të prodhuar një produkt.

Për këtë situatë, Kume bën përgjegjës Gjykatën e Apelit që, sipas tij, nuk shprehet për situatën brenda opozitës. Ndërkohë shprehet se pa vullnetin politik, pavarësisht punës që mund të bëj KQZ, votimi i emigrantëve do të dështojë.

Z. Kume, a është i realizueshëm regjistrimi i emigrantëve sipas draftit të Celibashit?

Materiali që është përgatitur është vetëm fillimi i punës, sepse nuk paraqiten se cilat duhet të jenë procedurat që duhet të ndjekë një zgjedhës shqiptar që do të votojë nga jashtë vendit.

Ajo çka është shkruar në atë procedurë, është në zbatim të kërkesës së Kodit Zgjedhor. Dispozita përkatëse e kufizon të drejtën për të votuar nga jashtë territorit të vendit me pasjen domosdoshmërisht të adresës së përhershme të tij në vendin ku ai banon në regjistrin e emigrantëve këtu në Shqipëri.

Nëse nuk e ke këtë adresë të bërë në funksion dhe duke zbatuar kërkesat e ligjit për adresarin e emigrantëve, e drejta për të votuar nga jashtë s’mund të fitohet. Ajo që është bërë kujdesje në këtë draft, është përcaktimi i rrugës që duhet ndjekur. Në ndryshim nga ajo që është diskutuar përpara zgjedhjeve parlamentare që kishte të bënte me faktin se cila do të ishte rruga, përmes “e-Albania”- s apo përmes një produkti informatik të prodhuar dhe të administruar nga KQZ, me këtë draft i ka dhënë zgjidhje.

Do të bëhet me një produkt informatik që do të administrohet nga KQZ. Problemi nuk ka gjetur zgjidhje përfundimtare, është lënë evaziv lidhur me momentin që ka të bëjë me identifikimin biometrik të zgjedhësve. Si do të bëhet ky identifikim? Thuhet përmes asaj që do të ofrojë KQZ, ose mundësive të tjera që mund të jenë programe të instaluara në pajisje të ndryshme.

Pa u futur në hollësitë e procedurave të tjera që kanë të bëjnë se: çfarë bëhet pasi bëhet kërkesa për regjistrim, si verifikohet kërkesa, si merret vendimi për t’u regjistruar dhe për t’u futur në regjistër në atë që quhet indeksi i votuesve nga jashtë? Çfarë bën pastaj pushteti vendor në lidhje me listën?

Ajo që duhet të theksoj ka të bëjë me faktin se vërtet kemi një hap të mirë që duhet përshëndetur, por ky është vetëm fillimi, pasi nuk e dimë nëse ky do të finalizohet apo jo, sepse në fund të fundit, vendimmarrjen për këtë dokument, draft e ka të drejtë për ta realizuar Komisioni Rregullator.

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga Komisioni Rregullator?

Komisioni kolegjial me 5 anëtarë, që ka për detyrë për të miratuar rregullat dhe udhëzimet e ndryshme, por siç dihet, ka përbërje politike dhe në vendimmarrjen e tij patjetër do të ketë efekte e veta sjellja politike dhe preferenca politike e komisionerëve.

Ishte ky komision i cili nuk pranoi që të angazhohej në këtë punë dhe nuk u vazhdua asgjë në kuadër të mundësive nga jashtë shtetit. E them këtë sepse edhe kjo që është fiksuar në draftin e përgatitur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk është se do të pranohet automatikisht pa asnjë opsion ndryshe nga komisionerët. Qoftë edhe vetë problemit të parë.

Do bëhet regjistrimi përmes një produkti informatik që do ta bëjë KQZ-në apo nga “e-Albania”. Thënë kjo, për mua për momentin është shumë e rëndësishme të theksohet se është ogur i mbarë.

Realizimi i detyrës së derisotme prej tij, në bazë edhe të asaj që ai ka deklaruar. Për mua problemi nëse do t’i lihet i gjithi për t’u trajtuar dhe zgjidhur nga komisioneri zor se mund të arrihet në atë që ne presim në zgjedhjet që vijnë për Kuvendin që do të vijnë.

Ka probleme që janë shumë sensitive për suksesin e votës nga jashtë, të cilat nuk mundet, është ngarkesë e tepërt t’i lihet në shpinë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Çfarë nevojitet për të pasur sukses në këtë proces?

E para, duhet të ketë vullnet politik. Por jo vullnet i deklaruar. Vullneti i realizuar. Nuk mund të realizohet një gjë e tillë nëse partitë politike nuk bien dakord. Për shembull: si do të votohet?

Përmes internetit, përmes postës, apo postës elektronike? S’mund të realizohet e gjitha kjo nëse nuk ka vendimmarrje politike në lidhje edhe me efektin që do të prodhojë kjo votë për konfigurimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Nuk mund të zgjidhet problemi vetëm duke e trajtuar teknikisht pa shprehur partitë politike dakordësinë e tyre edhe për mënyrën se si do të identifikohet zgjedhësi.

Ajo çka sjell produkti i ri i draftit është vetëm hapi i parë që do të thotë se kemi krijimin vetëm të kushtit të parë.

Komisioneri e bëri punën e tij, ndërkohë si e keni parë sjelljen e politikës. Është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore, por nuk ka pasur asnjë mbledhje veç konstituimit të tij.

Ky është një moment që partitë politike dhe komisioni duhet të nxjerrin mësim që gjërat nuk bëhen kur të duan ata, por kur duhen. Sjellja e Komisionit Parlamentar me sjelljen e Komisionerit janë shumë larg.

Veç kësaj, komisioni ka një handikap të madh. Opozita është e përçarë edhe në këtë komision. Ky komision zor se do të arrijë në një produkt pa u zgjidhur problemi me të cilin përballet Partia Demokratike. Në të kundërtën, çdo gjë që prodhohet nga ai komision do të jetë shumë lehtë i goditshëm nga pala tjetër. Fakti që ky komision ndeshet me këtë situatë dhe po punon duke mos bërë punë, është një kambanë alarmi për sistemin në përgjithësi.

Thënë kjo, kam parasysh veçanërisht sistemin gjyqësor. Duhet t’i japin ata përgjigje dhe ta zgjidhin problemin. Është shumë e rëndësishme që komisioni duhet të përgatisë ndryshimet ligjore që të kenë efekt për zgjedhjet vendore. Mund të ndodhë që ky komision të zvarritë gjërat në funksion të Reformës Territoriale. Dhe si rezultat, të kemi tjerrje politike të çështjes dhe jo të zgjidhjes së problemit.

Gazeta Panorama