Raporti/ PD: “Venecia” e vulosi sot që Rama tentoi të kapë Gjykatën Kushtetuese

19 Qershor 2020

Partia Demokratike ka reguar pas opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me Gjykatën Kushtetuese.

Në një status në Facebook, Gazment Bardhi, përshëndeti vendimin e Komisionit, që sipas tij “vulosi sot se regjimi në ikje i kryeministrit Rama tentoi të kapë Gjykatën Kushtetuese”.

Më tej ai shprehet se po ky Komision e tregoi që “Presidenti Meta nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës”.

“Përshëndes vendimin e Komisionit të Venecias që vulosi sot se regjimi në ikje i Edi Ramës tentoi të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese. Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se ka zero shkelje të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës në betejën legjitime kundër kapjes së Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një tjetër provë sesi Edi Rama ka vetëm një strategji me drejtësinë: ose ta kapë, ose ta bllokojë. Bërja sa më parë funksionale e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri, por edhe 1 nga 15 kushtet për fillimin e negociatave me BE,” shkruan Bardhi në Facebook.

©Copyright Gazeta SHQIP