Raporti i Bankës Botërore: Një rimëkëmbje e pasigurt e Shqipërisë, borxhi rritet 81%.

22 Tetor 2020

Banka Botërore ka publikuar raportin mbi analizën ekonomike e financiare të Shqipërisë ku bën të ditur se Tërmeti i 26 nëntorit të 2019 dhe Pandemia e Covid 19 ka tronditur burimet e ekonomisë shqiptare, duke analizuar me detaje të gjitha treguesit. Sipas BB, rimëkëmbja në 2021 mund të shkojë në 55 por thekson se borxhi mund të arrijë nivelin 81% e PBB-së dhe përcakton me detaje si do të ulen të ardhurat publike nga taksat.

Raporti i Bankës Botërore

Ekonomia e Shqipërisë u godit rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019 e më pas nga pandemia e COVID-19. Në vitin 2020 punësimi dhe PBB-ja pritet të tkurren  ndjeshëm dhe bilancet e jashtme dhe ato fiskale të përkeqësohen.

Autoritetet reaguan me shpejtësi nëpërmjet masave kundër krizës, p.sh., linjave të garantimit të kredisë për bizneset dhe rritjes së transfertave sociale për individët.

Me ngadalësimin e përhapjes së pandemisë, pritet që në 2021 të ketë një rimëkëmbje graduale të ekonomisë, për shkak të rifillimit të procesit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë globale.Për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike duhet që politikat mbështetëse të balancojnë zbutjen e ndikimit nga pandemia dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.

Zhvillimet e Fundit Ekonomike Ritmi i rritjes ekonomike u ngadalësua në 2.2 për qind në 2019 si rezultat i thatësirës që çoi në ulje të prodhimit të energjisë elektrike; dhe më pas nga tërmeti shkatërrues në Nëntor. Por, ndërsa pritej të niste procesi i rindërtimit, pandemia globale COVID-19 çoi në mbylljen e sektorëve kryesorë të ekonomisë. Mbyllja e bizneseve, reduktimi i  aktiviteteve dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan sektorin e prodhimit.

Sezoni turistik – i cili është një nga kontribuuesit kryesor në rritjen ekonomike, ishte i zymtë. Vendimet për konsumin dhe investimet pësuan vonesa për shkak të pasigurisë lidhur me kohëzgjatjen e krizës.

Gazeta Shqip