
Rama thërret në ndihmë Grenellin për të justifikuar injorimin e Trumpit Junior, djali i presidentit të SHBA takon…
1 Maji 2025
Nga: Gazeta Sot
Burime të afërta me administratën Trump flasin për një qëndrim të qartë dhe të prerë kundër Ramës.
Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka sjellë jo vetëm një kthesë të fortë në politikën amerikane, por edhe një riorientim të dukshëm në raportet me liderët e Ballkanit. Një prej figurave që po përjeton më shumë ftohjen e kësaj administrate është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili prej më shumë se një dekade ka ndërtuar lidhje të forta me rrjetin global të George Soros, një figurë që në sytë e republikanëve amerikanë përfaqëson gjithçka që është e huaj, e rrezikshme dhe kundër interesit kombëtar amerikan.
Burime të afërta me administratën Trump flasin për një qëndrim të qartë dhe të prerë kundër Ramës, për të cilin përdoret madje termi “bufoni i Sorosit”. Sipas këtyre burimeve, një mesazh i qartë është shpërndarë në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të presidentit të ri amerikan: “Qëndroni sa më larg të jetë e mundur nga Edi Rama. Ai është një kukull e Sorosit”.
Ky izolim u bë i dukshëm në mënyrë publike më 26 prill 2025, kur Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan, vizitoi Serbinë dhe darkoi me presidentin Aleksandër Vuçiç në Beograd. Takimi u zhvillua në kuadër të një turi rajonal të Trump Jr. në Evropën Juglindore, por Shqipëria dhe Edi Rama u lanë jashtë axhendës zyrtare, një goditje e hapur dhe simbolike për kryeministrin shqiptar. Media “Hashtag” raportoi se ishte planifikuar edhe një vizitë në Tiranë, ku Trump Jr. do të darkonte me Ramën. Madje, këto raporte pretendonin se plani u hartua me ndihmën e Richard Grenell, ish-emisar i posaçëm i Trump për dialogun Kosovë-Serbi dhe lobist i njohur i Ramës jozyrtarisht në Uashington.
Sipas këtyre zërave, Grenell kishte ndërmjetësuar që Rama të përfshihej në axhendën e vizitës. Por gjithçka u përmbys. Sipas artikullit të Hashtag.al, planet për Tiranën u anuluan në momentin kur stafi i presidentit Trump mësoi për përfshirjen e Ramës në këtë agjendë. Në përpjekje për të shpëtuar imazhin dhe për të shuar zërat për injorimin spektakolar, Rama aktivizoi Grenellin, i cili publikisht mohoi dy ditë më parë që të kishte lobuar për një darkë mes Ramës dhe Trump Jr. Në një postim të drejtuar Alfred Lelës, shefit të zyrës së shtypit të PD, Grenell u përpoq të shpërfaqte një qasje miqësore dhe u shpreh: “I dashur Alfred Lela. E kuptoj që emocionet janë të larta. Kam parë zgjedhjet tuaja në heshtje nga stoli, sepse Shqipëria është një aleat i rëndësishëm dhe i besuar i Amerikës në NATO… Por kjo histori nga media juaj është një gënjeshtër totale.
Duhet të korrigjohet menjëherë.” Por faktet janë kokëforta: takimi me Vuçiçin ndodhi dhe Shqipëria u injorua. Administrata Trump duket se e ka vendosur qartë vijën ndarëse: ata që janë pjesë e agjendës së Sorosit janë jashtë loje. Në këtë kontekst, Edi Rama jo vetëm që e ka humbur përkrahjen e mëparshme që kishte ndërtuar përmes kontakteve me figura të majta në SHBA, por tani është i izoluar nga qendra e re e pushtetit në Uashington.
Bllokada ndaj Ramës
Gazeta “SOT” raportoi gjithashtu se Rama nuk u lejua të merrte pjesë dhe te varrimi shtetëror i Papa Françeskut në Vatikan, ku morën pjesë më shumë se 50 liderë shtetesh dhe qindra mijëra besimtarë. Kryeministri megjithëse kishte mundësinë për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhështore, thuhet se nuk mori ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë solemne. Në vend të tij, Presidenti Bajram Begaj udhëhoqi delegacionin shqiptar, i shoqëruar nga ministrat Igli Hasani dhe Adea Pirdeni, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj.
Por mungesa e Z. Rama, ndërkohë që dy ministra të tij ishin të pranishëm, madje pjesë të ceremonisë kishte edhe rreth 23 kryeministra të tjerë, si ai i Hungarisë, Viktor Orban, është një tregues i qartë se shefi i qeverisë shqiptare është lënë qëllimisht jashtë këtij momenti të rëndësishëm. Rama u la jashtë pasi ai mund ta shfrytëzonte këtë ceremoni për të bërë takime të mundshme me figura të njohura, si presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, apo liderë të tjerë si presidenti Francës, Macron, dhe për të realizuar fotografi që mund të përdoren për fushatën e tij politike në Shqipërisë, duke qenë se jemi para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Izolimi në Mynih
Gjithashtu njerëz të rëndësishëm pranë administratës “Trump” izoluan kryeministrin edhe në një takim të rëndësishëm në Mynih në shkurt, ku ishte i pranishëm zv/Presidenti amerikan J.D Vance në të cilin ky i fundit përcolli mesazhe që nënkuptonin ç’montimin në rrënjë të linjës liberale, sidomos asaj Soros. Edi Rama nuk ishte në sallë kur u mbajt ky fjalim, por ai kishte ca pritshmëri të tjera. Rama e dinte se në mbrëmje do të organizohej një darkë e nivelit më të lartë ku të pranishëm do ishin zv/presidenti J.D Vance, si dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndër të tjerë. Gjatë gjithë ditës Rama luajti shumë fort për të marrë një ftesë te ajo darkë, personat që u futën në lojë nuk ishin dhe aq të parëndësishëm.
Në krye të operacionit ishte Richard Grenell së bashku me dy biznesmenë shqiptarë. Të tre ata bënë të mundur të fusnin në lojë një lobist nga Florida dhe…për pak ia arritën qëllimit. Zyra e J.D Vance po shqyrtonte me prioritet mundësinë e një takimi ndërmjet Ramës dhe zv/Presidentit amerikan gjatë darkës. Vetëm se kishte një problem, të papritur, ishte një zonjë, e cila punon Shefe e Kabinetit të Presidentit Trump, quhet Susan Ëiles. Zonja Ëiles është një ndër mbështetëset më të forta të Trumpit prej vitesh, autoriteti dhe rangu i informimit të saj është i pazakontë. Zonja Wiles, nëse do e përshkruanim figurativisht duket si një engjëll mbrojtës, pasi skanon me imtësi të gjitha rrymat që tentojnë të depërtojnë Presidencën. Ishte pikërisht ndërhyrja energjike dhe e prerë e kësaj zonje që nxori fiasko lobistin nga Florida dhe dështoi përpjekjet e Richard Grenell dhe dy biznesmenëve shqiptarë për të bërë këtë operacion.
Surpriza e dështuar e Ramës
Gjithashtu disa javë më parë, Rama është pyetur nga një komentues nëse e kalon dot oqeanin (nëse udhëton drejt SHBA-së) apo jo? Rama u përgjigj duke thënë se ai mund të udhëtojë drejt Amerikës sa herë të dojë ndërsa paralajmëroi edhe një surprizë javët në vazhdim, por pa dhënë detaje të mëtejshme. “Unë me oqeanin nuk kam pasur probleme, por ti qenke zgjuar në kënetë sot. Të jesh i sigurt që e kaloj sa herë të dua. Edhe mos u çudit kur ta shohësh që jo do ta kaloj, por… nuk po flas më shumë, sepse dua t’ju bëj një surprizë të këndshme ty dhe “kënetës””, kështu u shpreh Rama në fillim të marsit. Por marsi iku, madje iku dhe muaji prill. Pyetja është se a i ka ardhur Edi Ramës ndonjë ultimatum nga administrata “Trump” për të mos kaluar oqeanin?