3 Maji 2025

“Të votosh kënetën je politikisht autik”, kjo ishte deklarata e kryeministrit Rama e cila bëri bujë në rrjet, madje e detyroi kreun e qeverisë të kërkonte falje.

Rama sulmoi opozitën dhe kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një takimi elektoral duke thënë se: ‘të votosh kënetën je politikisht autik’. Disa orë më vonë, pasi pa reagimet në rrjet kundër deklaratës së tij, kryeministri pranoi gabimin e tij. Ai publikoi një video në rrjetet sociale duke u shprehur se deklarata ishte e papërshtatshme dhe e paqëllimshme.

“Të gabosh është njerëzore, ndërsa të mos kërkosh ndjesë nuk është burrërore. Krejt pa dashje sot kam cënuar fëmijët autikë dhe me siguri kam lënduar prindërit e tyre duke folur për autizëm politik, shprehje që më ka mbetur diku në mendje se është përdorur edhe në literaturën politike, akademike dhe më doli sot krejt padashje. Por, ja u desh të gaboja dhe pastaj të mësoja, se vitesh konsiderohet e papërshtatshme dhe në fakt me plot të drejtë”, tha ai.

Ndërkohë, u shpreh se reagimet politike pas deklaratës së tij nuk do ta ndalojnë për të vijuar punën për të mbështetur më shumë familjet në nevojë. Sot, në një takim elektoral nga Gjirokastra, Rama ka tentuar të mbulojë deklaratën e mëparshme, duke u shprehur se për të gjithë fëmijët autikë ose me aftësi të tjera të veçanta do të dyfishohet mbështetja për nënat e tyre që nga buxheti i vitit të ardhshëm.

“Tek programet për mbrojtjen sociale. Janë një sërë programesh që ne i kemi hapur rishtaz. Për të gjithë fëmijët autikë, ose me aftësi të tjera të veçanta ne do të dyfishojmë që në buxhetin e vitit të ardhshëm mbështetjen për nënat e tyre. Janë 9200 nëna të papuna me 3 ose më shumë fëmijë. Ne prej disa vitesh japin 25 mln euro për të mbështetur këto nëna duke ju paguar sigurimet shëndetësore e shoqërore, kur t’ju vijë dita e pensionit nuk do të mbeten pa pension, por do të marrin pension dinjitoz”, tha Rama.