Rama kritikon deputetët e Shkodrës: – Mos mbroni banorët e Rrjollit, nuk janë pronarë

29 Mars 2026
Zbulohen detaje të reja nga ajo çfarë prodhoi mbledhja e zgjeruar mes Grupit Parlamentar të PS dhe ministrave të kabinetit qeveritar.
Tch shkruan se, Rama ka përcjellë një mesazh kritikues për deputetët socialistë të qarkut, Shkodër në lidhje me protestën e banorëve të Rrjolit.
E ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e Hipotekave, Lorena Goxhobelli, ka mbaruar prezantimin në pjesën e diskutime ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama.
“Nuk mund t’i jepni zë disa personave që pretendojnë një pronë që nuk është e tyre. Ne kemi ngritur një grup pune nga ku na rezulton se s’kanë dokumente pronësie por letra të falsifikuara”, citohet te ketë thënë Rama dhe kërkuar distancim të deputetëve të tij nga kjo çështje.
Banorët e Rrjollit e cilësojnë këtë ndërtim si një grabitje të pronës së tyre nga kompania “Gener 2”. Ata disponojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë, me vendim gjykate të vitit 2006.
Resorti turistik do të ndërtohet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër, me një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, i njohur për afrinë me familjen Berisha së bashku me vëllezërit e tij, Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën nga qeveria Rama statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje”, për ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo” në bregdetin e Velipojës.
Fakte dhe rrethana
Në vitin 2001, Bashkim Ulaj, përmes vëllait të tij Ahmet Ulaj, merr një leje për ndërtimin e një pallati me 11 kate në Rrugën ‘Mustafa Matohiti’ në Tiranë. Leja lëshohet në favor të firmës ABAU, themeluar në vitin 1998 nga Ahmet Ulaj, vëllai i Bashkim Ulajt, bashkëpronar tek Gener 2, bashkë me Bashkim Ulajn.
Në 17 dhjetor të vitit 2007, Sali Berisha, dy vite pasi kishte ardhur në pushtet, lidh një marrëveshje me vendim Parlamenti me kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt, duke i dhënë Ulajt leje minerale për shfrytëzimin e 233 hektarë pronë publike, të përbërë nga gur gëlqeror, argjila dhe ranor. Prona publike që Berisha kaloi në duart e Ulajt, ndodhet në Fushë-Krujë në zonën e Kodra e Zezë, Bacung dhe përruan e Dallxhikut.
Në ligjin e miratuar nga Kuvendi në dhjetor 2007, për t’i dhënë Bashkim Ulajt për shfrytëzim 233 hektarë pronë publike, kompania Gener 2 e Ulajt, rezulton me adresë pikërisht në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, pallati numër 7, kati i dytë, zyra 7. Pra, zyrat e kompanisë së Bashkim Ulajt dhe banesa e çiftit Jamarbër dhe Argita Berisha, ndodheshin në katin e dytë të të njëjtit pallat, aty ku banon edhe Sali Berisha. Të gjitha këto lidhje krijojnë dyshime sikur pallati është i Sali Berishës dhe Bashkim Ulajt një maskë e tij.
Po në vitin 2007, në Rrugën “Mustafa Matohiti”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, figuron se ka regjistruar në emrin e tij edhe një bodrum 21 m2, me vlerë 10 mijë USD. Në 13 janar të vitit 2010, Argita dhe Jamarbër Malltezi kanë regjistruar në emrin e tyre një apartament me sipërfaqe 259 m2, pikërisht Rrugën “Mustafa Matohiti”.
Në 19 shtator 2010, Argita dhe Jamarbri regjistrojnë në emrin e tyre një tjetër apartament me sipërfaqe 195 m2, në të njëjtën rrugë, “Mustafa Matohiti”. Në 18 maj të vitit 2015, Argita dhe Jamarbër Malltezi regjistrojnë në emrin e tyre një tjetër bodrum me sipërfaqe 18 m2, me vlerë 17 mijë euro, në të njëjtën rrugë në Tiranë.
Tre javë më pas, në 5 qershor të vitit 2015, Argita dhe Jamarbër Malltezi kanë regjistruar një tjetër apartament me sipërfaqe 128.3 m2, prape në Rrugën “Mustafa Matohiti”. Në maj të vitit 2017, Jamarbër Malltezi regjistron në emrin e tij një apartament 102 m2, pikërisht në Rrugën “Mustafa Matohiti”. Bie në sy që deklarohet vlera e bodrumeve, por jo vlera e apartamenteve. Historia e dyshimtë përfshin para dhe prona të shqiptarëve me vlerë dhjetëra milionë euro dhe ndere pafund.
Përgjimet / Balluku: Takova Bashkimin, po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kashar, do bëhet ushtar. (Si Bashkim Ulaj përfitoi 1 vit para shpalljes koncensionin 1.3 miliardë euro)
Koncensioni 1.3 miliardë euro për ndërtimin e autostratës Thumanë-Kashar është paracaktuar me pazar në tavolinë për oligarkun Bashkim Ulaj një vit para se të shpallej tenderi. Ky fakt penal konfirmohet në dosjen 16 mijë faqe të SPAK-ut për tenderat e rrugëve në Shqipëri, e quajtur ndryshe edhe si dosja e zv/kryeministres Belinda Balluku. Fakti penal i manipulimit të tenderit Thumanë-Kashar në favor të Bashkim Ulajt, i njohur si ‘bankomat’ i Familjes Berisha, del në pah nga përmbajtje e bisedave mes Belinda Ballukut dhe ish kreut të ARRSH-së, Evis Berberi.
Në 15 qershor 2021, në drekë, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit, ku e informon se ka takuar Bashkim Ulajn dhe se kanë biseduar për koncensionin Thumanë-Kashar, nën hetim nga SPAK si aferë e dyshuar korruptive.
Ndër të tjera, Balluku i shkruan Berberit se ‘unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kasharin ndaj ia do bëhet copë… Është shumë i izoluar dhe i pashpresë, ndaj mund të bëhet shumë ushtar. Agollin (Dritan Agollin) nuk e shiti kurrë dhe e bëri mbret‘.
Berberi i shkruan Ballukut se Bashkim Ulaj nuk ka si t’a shesë Dritan Agollin pasi kanë punuar gjatë bashkë. (Kujtojmë se kreu i FSHZH Dritan Agolli ka qenë punonjës tek kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt. Agolli, pasi u bë drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ka dhënë dhjetëra milionë euro tendera Bashkim Ulajt. Në këmbim Ulaj i ka dhënë Agollit apartamente dhe zyra për bizneset e gruas dhe djalit).
Ndërkaq, sipas dosjes së SPAK-ut, Vis Berberi i kërkon takim Ballukut për të folur për çështjen e koncensionit Thumanë-Kashar, paracaktuar për Bashkim Ulajn, për të cilin Balluku thotë se i ka bërë nderin e jetës.
Në maj 2022, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me në krye zonjën Balluku ka lidhur kontratën me kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë-Kashar, 21 km, me vlerë 245 milionë euro.
Përveç kostos tepër të lartë të ndërtimit prej 245 milionë euro për 21 km, koncesionari Bashkim Ulaj vendosi edhe një tra. Në fund të 35 viteve është parashikuar që koncesionari të përfitojë rreth 1.3 miliardë euro pa TVSH. Gjithashtu në kontratën e bërë publike shteti vendos edhe 22.8 milionë euro garanci për 8 vite nëse privati nuk mbledh të ardhurat e planifikuara.
Nëse Greqia bën me rreth 4 milionë euro 1 km rrugë, në Shqipëri kostoja është tre herë më e lartë, rreth 12 milionë euro. Praktikisht është kostoja e korrupsionit. Jo vetëm kaq. Rruga Thumanë-Kashar është jashtë çdo standardi, duke u kthyer në rrezik për drejtuesit e automjeteve. Ka një shkëputje në lidhje në pjesën urave, ndërsa shtresa asflatike ka nisur të lakohet për shkak të abuzimit me ngjeshjen, për të maksimalizuar fitimet dhe mbuluar vjedhjen e parave publike.
Ku kanë përfunduar paratë?
Ka dyshime të forta se gjysma fondit për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar është përvetësuar dhe ndarë sipas roleve. SPAK po verifikon lëvizjen e parave pas kalimit nga buxheti i shtetit tek kompania e Bashkim Ulajt. SPAK është duke verifikuar edhe disa transferta parash të kryera nga kompania 4 A-M jashtë Shqipërisë. Kompania ka përfituar qindra milionë euro tendera publikë. Pronar i kompanisë është Ardit Metaliaj, prestanome dhe derivat i Bashkim Ulajt.
Bashkim Ulaj përsëritës, afera 28 milionë me DH Albania
Në vjeshtën e vitit 2018, ish kreu i ARRSH Afrim Qendro, ish kreu i OST Klodian Gradeci dhe oligarku Bashkim Ulaj finalizuan një aferë korruptive me vlerë 28 milionë euro përmes kompanisë false dhe fantazmë DH Albania, të kamufluar në emrin e sportelistit të Bashkim Ulajt, Avdjol Dobi.
Afera korruptive nuk ishte e zakonshme, pasi ‘ustallarët shqiptarë’ kishin falsifikuar letrat sikur kompania e tyre ishte dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunwell Haberman. Kokat e kësaj skeme korrupsioni dhe falsifikimi, oligarku Bashkim Ulaj, Afrim Qendro që firmosi një nga tenderat 18 milionë euro dhe Klodian Gradeci i OST, shpëtuan pasi SPAK nuk ishte ngritur ende.
Afrim Qendro vetëm sa u mor në pyetje si person që kishte dijeni, ndërsa Ulaj nuk u hetua. Historia u mbyll me dënimin me 6 muaj burg të sportelistit të Ulajt, Avdjol Dobi, i cili në fakt nuk bëri asnjë ditë. Mbyllja e kësaj dosje është një histori më vete korrupsioni, e cila mbetet një sfidë për SPAK-un.
Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe oligarku Bashkim Ulaj janë përfshirë në një skemë korrupsioni me paratë publike. Dritan Agolli i ka dhënë kompanisë Gener 2 milionë euro tendera publikë.
Në këmbim, bashkëshortja dhe djali i Dritan Agollit, Rovena dhe Flladi Agolli, kanë marrë zyra dhe apartamente te kullat në digën e liqenit, të ndërtuar nga firma “Gener 2” e Bashkim Ulajt. Në këtë firmë ka qenë i punësuar edhe Dritan Agolli për një kohë të gjatë, teksa “Gener 2” rezulton përfituesi më i madh i fondeve publike.
Bashkim Ulaj mbi 3 miliardë euro para e pasuri publike
Janë shifra gati të pabesueshme dhe marramendëse në raport me buxhetin vjetor të Shqipërisë, por letrat e përfitimeve dhe episodeve të korrupsionit janë zyrtare. Janë aty duke sfiduar barazinë para ligjit, interesin publik dhe drejtësinë e re, të cilës nuk i shpëton dot as ndonjë arkë peshk, kanal në Lushnje, autokombanjë, kec apo tollon nafte.
Oligarku i familjes Berisha, Bashkim Ulaj, është përfitues i parave dhe pasurive publike me vlerë mbi 3 miliardë euro, përmes tenderave dhe koncensioneve klienteliste, korruptive dhe me letra false, përmes lejeve të krimeve mjedisore për hidrocentrale në zona të mbrojtura, gurore dhe çimentoje, përmes zgrapjes së rrugëve kombëtare, kullave dhe ndërtimit të rrugëve që janë ndërtuar një herë, si aksi Milot-Thumanë etj.
Asnjë oligark dhe klient tjetër nuk i afrohet dot për përfitime Bashkim Ulajt, i cili jo rastësisht nuk lakohet kurrë nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, belot, bletët, mulët dhe zagarët e tyre mediatikë.
Bashkim Ulaj ka marrë me Rilindjen mbi 2 miliardë euro tendera dhe koncensione me kompaninë Gener 2. Tenderat për Baçin jepen duket ngrënë krudo dhe pirë verë të shtrenjtë 4-5 mijë shishja, ndërsa ARRSH, FSHZH dhe bashkitë e mëdha thjeshtë bëjnë letrat gati. SPAK le të hetojë një praktikat me flamur korrupsioni, ku fondi limit është sa oferta fituese, ndërsa nuk është zbatuar qoftë edhe një kontratë pa vjedhur me volumin e punimeve, devijimet nga projekti dhe cilësinë e punimeve.
Rreth 300 milionë euro tendera Bashkim Ulaj i ka marrë me kompaninë 4 A-M, të cilën e ka kaluar në emrin e Ardit Metaliajt. Kjo kompani është kapur disa herë me letra false dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave, por i ka shpëtuar gjithnjë ndëshkimit.
Ndërkaq, koncesioni i rrugës Thumanë -Vorë-Kashar do t’u kushtojë shqiptarëve 1.3 miliardë euro (1.56 miliardë euro me TVSH), ku përfitues është kompania e Bashkim Ulaj, i cili hyri në treg dhe pasurua nga mënga e Sali Berishës, kur erdhi në pushtet në vitin 2005.
Qindra milionë euro ka përfituar Bashkim Ulaj nga pushteti i PD dhe PS me leje korruptive për hidrocentrale në Valbonë, HEC-e në të gjithë Veriun, gurore, lumenj etj.
Bashkim Ulaj qëndron pas disa hidrocentraleve në Zallin e Qarishtës, hidrocentralit Suha e Sipërme, hidrocentralit “Suha”, Seta etj., krahas hidrocentraleve në Valbonë, që të gjithë në kundërshtim me ligjin dhe letra false, deri tek falsifikimi i firmave të banorëve të fshatrave.
Teci i Roskovecit është një tjetër aferë e denoncuar si korrutpive me përfitues oligakun pranë Familjes Berisha, Familje e cila si për ironi ogranizon protesta kundër korrupsionit qeveritar.
Përfitimet e oligarkut të Berishës nuk mbarojnë. Kafshimi i kodrave poshtë Krujës është bërë me gojën që nuk ngopet kurrë të Bashkim Ulajt, por me lejen e pushtetit të Berishës dhe më pas të Rilidjes.
Emri i tij lidhet me kulla dhe pallate, pazare për termocentrale, çarja e rrugëve të Shqipërisë me fibrat optike, shkatërrimin e Ranës së Hedhur, me krime të tmerrshme dhe të pariparueshme mjedisore si dhe me një plan për të marrë fushat e naftës – shkruan faqja Prapaskena.
Nga: Gazeta Dita
