
Rai3 Calabria nis programe në radio dhe televizion në arbërisht
9 Shtator 2025
Prodhimi i programeve televizive dhe radiofonike, që synojnë promovimin e kulturës arbëreshe ka nisur në Rai3 Calabria. Prodhimi i programeve në arbërisht sipas QSPA nisi pas nënshkrimit të marrëveshjes së fundit midis Presidencës së Këshillit të Ministrave – Departamenti për Informacion dhe Botime – dhe RAI-t, Koordinimi i Zyrave Rajonale dhe të Jashtme. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët shprehet se këto programe janë të lidhura drejtpërdrejt si me Ligjin 482 të vitit 1999 ashtu edhe me Kontratën e Shërbimit Kombëtar, e cila siguron mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore të pranishme në rajonet e ndryshme të Italisë.
“Programet televizive dhe radiofonike do të fillojnë në mesin e shtatorit dhe do të zgjasin trembëdhjetë muaj, do të shpallen gjatë konferencës për shtyp të prezantimit, të planifikuar ditën e enjte më 11 shtator, në orën 11.00 të paradites në selinë e RAI-t në Kozencë”, thuhet nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët që herë pas here sjell në vëmendje aktivitetet e ndryshme, që zhvillohen për arbëreshët. Këto ditë QSPA bëri me dije dhe edicionin e tretë të aktivitetit “Sulle orme di Skanderbeg” më 6 shtator në komunën e Kazallveqit. Sipas QSPA-së ky aktivitet do të ishte një udhëtim në kohë, në zemër të shekullit XV-të për të përjetuar njërën prej periudhave më të lavdishme që mban emrin e themeluesit të kolonive të arbëreshëve të Italisë, heroin kombëtar Gjergji Kastrioti Skënderbeu.
“I gjithë katundi do të shndërrohet në një arenë ku do të shihet spektakël, rindërtim i së shkuarës, lojëra që vijnë nga antikiteti dhe do i shpien të pranishmit për të tretin vit rradhazi në një epokë të mahnitshme, për të përjetuar një mbrëmje të jashtëzakonshme dhe të paharrueshme”, shprehej QSPA. Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në mëmëdhe.