Radhë të gjata në Kapshticë, mbi 10 mijë shtetas kalojnë kufirin, për të blerë naftë dhe ushqime në Greqi

6 Shtator 2026
Radhë të gjata janë krijuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë po përballen me pritje prej më shumë se një ore.
Fluksi i lartë i lëvizjeve lidhet kryesisht me fundjavën, por edhe me numrin e madh të banorëve të Korçës dhe zonave të juglindjes që zgjedhin të udhëtojnë drejt Greqisë për të bërë blerje ushqimore kryesisht.
Çmimi më i ulët i karburantit, së bashku me diferencat në çmimet e produkteve ushqimore dhe artikujve të konsumit të përditshëm, po i shtyn gjithnjë e më shumë të kalojnë kufirin për të kryer furnizimet.
Banorët e zonave pranë kufirit shprehen se blerjet në Greqi janë kthyer në një alternativë për të ulur shpenzimet familjare, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës vijon të mbetet e lartë.
Për të përballuar fluksin e shtuar, Policia Kufitare në Kapshticë shton gjatë fundjavave numrin e sporteleve në hyrje dhe dalje, ndërsa zbatohen edhe procedura të përshpejtuara për përpunimin e udhëtarëve.
Sipas burimeve nga pika kufitare, gjatë fundjavave përmes Kapshticës kalojnë në dalje nga Shqipëria më shumë se 10 mijë shtetas. Rritja e lëvizjeve, megjithatë, shoqërohet me pritje të gjata, veçanërisht në oraret e pikut.
