qytetarët mbyllin marshimin para Kryeministrisë: – Sot dt. 20 në Parlament!

20 Korrik 2026
Pas disa orësh marshim nëpër rrugët e kryeqytetit, qytetarët kanë përfunduar protestën e 50-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit u nisën nga sheshi para Kryeministrisë dhe vijuan marshimin drejt bulevardit “Zhan D’Ark”, më pas në zonën e ish-Bllokut dhe drejt sheshit “Wilson”.
Në përfundim, ata u rikthyen sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, ku mbyllën tubimin e sotëm.
Gjatë gjithë marshimit nuk munguan si çdo natë thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit. Në fund të tubimit, protestuesit bënë thirrje për një tjetër grumbullim ditën e nesërme, këtë herë përpara Parlamentit, ku pritet të zhvillohet një nga seancat e fundit plenare përpara pushimeve.
Sipas tyre, prania para Kuvendit do të jetë një mesazh për deputetët, për t’u treguar se “nuk i përfaqësojnë qytetarët”.
“Nesër më shumë” dhe “ Rradha në Parlament”, thirrën ata njëzëri.
Protesta e sotme shënoi ditën e 50-të të qëndresës së përditshme para Kryeministrisë, ndërsa protestuesit deklarojnë se do të vijojnë tubimet deri në largimin e kryeminsistrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
