Qindra mjekë dhe infermierë të vaksinuar me Sinovac infektohen me covid në Tajlandë

11 KORRIK 2021

Ministria e shëndetësisë së Tajlandës ka deklaruar se 618 punonjës mjekësorë, që morën dy doza të vaksinës kineze Sinovac, janë infektuar me COVID-19.

Sipas Reuters, një infermiere ka vdekur dhe një punonjës tjetër mjekësor është në gjendje kritike.

Një panel ekspertësh ka rekomanduar një dozë të tretë për të rritur imunitetin për punonjësit mjekësorë që janë në rrezik, tha zyrtari i lartë shëndetësor Sopon Iamsirithawon, në një konferencë për shtyp të Dielën.

Njoftimi vjen ndërsa vendi i Azisë Juglindore raportoi një rekord me 9,418 infeksione ditore të Dielën. Të shtunën autoritetet raportuan një rekord tjetër, pasi u regjistruan 91 viktima.

Tajlanda ka raportuar gjithsej 336.371 të infektuar dhe 2.711 viktima që nga fillimi i pandemisë vitin e kaluar.

Tajlanda po pret një donacion prej 1.5 milionë vaksinash Pfizer-BioNTech nga Shtetet e Bashkuara më vonë këtë muaj dhe ka porositur 20 milionë doza që do të dorëzohen pas Tetorit.

Kujtojmë se vaksina kineze Sionavac përdoret në masë edhe në Shqipëri.

Gazeta SHQIP