Qeveria shqiptare kërkon punëtorë në Indonezi, si përgjigjet zv/ministrja e tyre

29 Janar 2026
Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Punëtorëve Migrantë të Indonezisë, Christina Aryani, ka bërë disa komente pas një takimi online me Ambasadoren e Indonezisë në Bullgari, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, Listiana Operananta.
Aryani theksoi se negociatat me Tiranën që kërkon krah pune nga vendi i saj duhet të përfshijnë dispozita më të forta, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së punëtorëve migrantë.
“Për Shqipërinë, po shtyjmë përpara një memorandum më rigoroz, pasi ndjeshmëria ndaj çështjeve të mbrojtjes së punëtorëve migrantë nuk ka qenë optimale. Disa raste që përfshinin punëtorë indonezianë nuk janë raportuar në mënyrë proaktive dhe ka qenë e nevojshme ndërhyrja e drejtpërdrejtë e ambasadës”, tha ajo.
Zëvendësministrja nënvizoi se memorandumet e mirëkuptimit janë thelbësore për të garantuar punësim të sigurt, të rregullt dhe të mbrojtur për punëtorët indonezianë, duke siguruar respektimin e kushteve kontraktuale.
Ajo renditi në vendet problematike veç Shqipërisë, edhe Bullgarinë.
“Sipas informimit nga Ambasada jonë në Sofje, situata politike në Bullgari është aktualisht e paqëndrueshme. Megjithatë mundësitë për punëtorët migrantë indonezianë vazhdojnë të jenë të disponueshme”, tha Aryani në një deklaratë cituar nga agjencia Antara.
Praktikat e deritanishme kanë përfshirë kontrata dy deri në trevjeçare për punëtorët indonezianë në pozicione si recepsionistë, pastrues, mirëmbajtës dhe terapistë.
